Që e bardha do të jetë ngjyra dominuese e sezonit të nxehtë, nuk ka më diskutime. Brandet dhe stilistët më në zë në botë e kanë propozuar ngjyrën e paqtë të çdo stine edhe gjatë sezonit të nxehtë dhe blogeret apo vajzat ikonë të modës e kanë përqafuar menjëherë. Që nga prezantueset, këngëtaret, modelet dhe deri te vajzat fashioniste, e kanë zgjedhur të bardhën që na ka mahnitur të gjithëve. Por kur më mirë se në mbrëmje mund të ndihet dominimi dhe eleganca e saj?

Nëse ke një festë, je e ftuar diku për një gotë apo ke në plan të dalësh me mikeshat, në konsideratë të parë mbaj ngjyrën e bardhë. Mund të jetë një jumpsuit, një fustan dantelle apo edhe një kombinim fund e bluzë – pavarësisht zgjedhjes – do të jesh IN me të gjitha. Nëse veshja është e gjitha e bardhë, pikët, për këtë verë i ke marrë të plota.

Shiko këto kombinime dhe frymëzohu për mbrëmjet e nxehta.

Një kombinim i thjeshtë me bluzë dhe pantallona të bardha

Është chic dhe super stil njëkohësisht. Kombinimi i pantallonave me këmishë të bardhë i jep mbrëmjes më shumë elegancë. Nëse shton edhe ndonjë aksesor metalik apo gold, atëherë të gjithë sytë janë drejt teje.

Fustan chic

Pa e ngarkuar shumë këtë zgjedhje, mendo në një fustan të bardhë dhe pastaj dekoroje me një grim të pastër.

Pantallona të shkurtra dhe bluzë të shkurtër

Nëse festa është në jaht ose edhe në hollin e ndonjë hoteli, shko e veshur kështu. Nxirr një pjesë të lëkurës dhe, për të qenë IN, mbaj sipër edhe një xhaketë të bardhë moderne me prerje të shkurtër.

Bluzë e shkurtër dhe fund

Nëse nuk të duket asgjë bindëse, mendo një fund të shkurtër asimetrik me një bluzë të shkurtër. I ke shtuar vetes edhe një detaj seksi.

Bluzë e shkurtër me fund treçerekësh

Një interpretim tjetër chic i gjithë i bardhë ruan klasiken dhe është shumë praktik.

Fustan rrjetë

Një truk për të zbuluar më shumë lëkurë pa e tepruar. Seksi, bukur dhe tërheqëse.

Casual

Një ide casual është super, nëse je në një festë që nuk do të dukesh fashion më shumë sesa komode. Një rast i tillë do të ishte një baby shower ose një cocktail party me miqtë.

Besoji këmishës

Mos mendo se je shumë zyrtare. Këmisha e bardhë mbi një kanotiere që zbulon mjaftueshëm lëkurë është një gjetje e zgjuar.