Sa më shumë vitet kalojnë dhe sa më shumë moda ndryshon, e ke të vështirë ta gjesh veten në një lloj stili. Vështirë, nga njëra anë të ndryshosh, por vështirë edhe t’i qëndrosh një lloj stili që, tashmë të tregon edhe moshë. Megjithatë, është e pakuptimtë të ndryshosh të gjithë gardërobën, sepse vitet po ikin. Rinore, gardërobën mund ta bësh edhe me veshjet që ke.

Pa marrë parasysh ç’moshë ke, duhet të vishesh në një mënyrë që, mbi të gjitha, të të bëjë të ndihesh mirë me veten, të jesh gjatë gjithë ditës rehat dhe, ç’është më e rëndësishmja, mos të të tregojë moshë. Një gardërobë e pasur është çelësi për t’i parë vitet që ikin me sy optimist. Megjithatë, stilin mund ta ndryshosh edhe me veshjet që ke aktualisht në gardërobë. Ja se si.

Luaj me ngjyrat

Ndërsa je duke eksperimentuar me modelet, kthehu edhe tek veshjet me ngjyra që ke në gardërobë. Pse ia fsheh shkëlqimin vetes me ngjyra të errëta? Zgjidh veshje me ngjyra të ndezura ose shto qoftë edhe një detaj më shumë në veshje (për shembull këpucët) – do të të japë një pamje më rinore.

Eksperimento me printe

Ideja për të veshur vetëm ngjyra neutrale me kalimin e moshës është mjaft e gabuar. Për ta parë veten 10 vjet më të re, luaj me printet – është një prej zgjidhjeve më të mira. Mix and match, kombinimi i gjërave që në pamje të parë nuk shkojnë, është guxim rinor, kështu që mos krijo asnjëherë përshtypjen se ‘nuk ke moshë’ për të tilla veshje. Guxo më shumë duke u treguar të gjithëve se je një stil i modës së lartë.

Zgjat pak më shumë këmbët

Sa më shumë vitet kalojnë, është e rëndësishme të luash me një staturë të re. Nëse dëshiron të vishesh me stile që të japin hijeshi, atëherë ki parasysh disa truke që nuk duhen shmangur. Një prej tyre është edhe të zbulosh pak më shumë këmbët. Krijo një lloj iluzioni të këmbëve më të gjata me taka, me pantallona pak më të shkurtra ose edhe me veshje që të rrinë pas trupit.

Vish rrobat sipas masës së trupit

Mos  u përpiq të fshehësh linjat me veshje. Nuk do t’i japësh vetes ndonjë pamje të re duke u veshur në këtë mënyrë. Të dukesh më rinore dhe më elegante, gjëja më e mirë që mund të bësh është t’i gjesh veshjet sipas masës. Një zgjidhje e mirë është edhe rrobaqepësi. Sa herë të kesh diçka të re që nuk të rri siç do, por edhe në ndonjë rast për të ndryshuar stil, shkurtimi apo ngushtimi mund t’i bëjnë veshjet të duken më rinore, që nga pantallonat, fundet, fustanet etj.