Në dollapin e çdo vajze është një pjesëz “fashion” që s’mund të presë për të dalë prej tij derisa vera të fillojë… Kësaj radhe po flasim për minifundet! Përveçëse janë trend, minifundet janë veshja më perfekte që mund të kombinojmë këto ditë… Xhins, me lule, me fruda apo me thekë, cili tip minifundi do ta intrigonte më shumë look-un tuaj të verës?

Që prej krijimit të tyre në vitet ’50 minifundet janë kthyer në një simbol fuqizimi për të gjitha vajzat që e veshin edhe sot, forca e tij vazhdon të jetë po e njëjtë sepse shihet si veshja që mund të kombinohet në çdo periudhë të vitit, në çdo rast, të zakonshëm apo të jashtëzakonshëm.

Të gjitha fashionistat e kanë përqafuar këtë trend dhe siç e kemi parë në llogaritë e tyre, veshjet duken më trendy kur pjesë e tyre janë minifundet që shprehin fuqi si për shembull, materiali VINYL apo qoftë edhe vetë lëkura e pasur me detaje të ndryshme.

Dëshironi ta dini se cili është tipi i minifundit që çdo gardërobë vajze duhet ta ketë patjetër? Një minifund xhinsi! Mund të jetë në ngjyrën e xhinsit klasik ose e përshtatur me detajet dhe hijet e sezonit. Për një gjë të jeni të sigurta: Minifundet do ta ruajnë gjithmonë sharmin e tyre e do t’i rezistojnë gjithmonë kohës për t’i dhënë më shumë personalitet mbrëmjeve tona të verës!

Nëse dëshironi që minifundin ta vishni në kombinimet e mbrëmjeve më speciale, një look “total black” do të ishte ideal por mos harrojmë, në varësi të kontekstit mund t’i shtojmë fundit tonë të shkurtër një kanatjere me shkëlqim për t’i shtuar veshjes një prekje më glamour.

Minifundet e printuara me dizajne të ndryshme janë gjithashtu një “must” këtë sezon, për më tepër kur janë kostum sëbashku me një bluzë apo kanatjere të shkurtër. Printet më “in”? Lule, lule, lule!