Fruti i verës? Ananasi! E dimë që ky nuk është momenti më i mirë i vitit për ta shijuar si frut por jemi thjesht duke folur për trendet e fundit në modë. Me sa po shohim, ananasi është fruti që ka dominuar të gjitha koleksionet e pranverë-verës së këtij viti… E kemi parë të realizuar si print në fustane, rroba banje apo veshje të ndryshme. Një gjë është e sigurtë, anasi do t’i shtojë më shumë ëmbëlsi kësaj vere!

Vera e 2018 është konsideruar në fakt si sezoni i printeve me fruta. Kemi të bëjmë më një sërë shijesh: Qershi, limona, luleshtrydhe e portokalle… Ndoshta sepse vera është sezoni më i mirë për të bërë detox? Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të ndjekim këtë tendencë të re për t’i dhënë veshjeve tona një prekje më të freskët.

Përveçëse një frut i shijshëm dhe i shëndetshëm, ananasi është shndërruar në motivin e këtij sezoni! Në Instagram shohim çdo ditë “maninë e ananasit” të printuar në fustane të lirshme verore , aksesorë apo në bikini! Si t’i vishni printet me ananas? Nuk ka asnjë rregull, i vetmi fokus është te ngjyrat!

Nëse “mania e ananasit” ju ka prekur edhe juve, mos ngurroni të shfletoni galeritë e fashionisteve më të ndjekura për të zbuluar ide të reja kombinimesh!