Kjo e premte ka shënuar temperaturat më të larta të kësaj fillimvere dhe mendohet se do jetë ndër më të lartat e muajit qershor. Dita më e nxehtë e këtij muaji ka regjistruar vlerën 37 gradë celcius në mesditë.

Sipas Meteoalb, fundjava ka sjellë rënie të temperaturave dhe reshje shiu, por parashikimet e sinoptikanëve japin të dhëna se i nxehti do të rikthehet në fund të muajit. Java e parë e qershorit ka shënuar ditë të nxehta me temperatura përvëluese. Për sinoptikanët, kjo nuk është një situtatë normale. Reshjet që kanë nisur këtë të shtunë do të vijojnë edhe gjatë ditës së diel, kryesisht gjatë pasdites, kur priten të grumbullohen vranësirat nga zonat lindore të vendit.

Shirat e ardhur nga Adriatiku kanë nisur të përhapen në të gjithë territorin e vendit. Orët e pasdites së të shtunës dhe orët e para të së dielës nis një përmirësim i lehtë i kushteve atmosferike, por mesdita e së dielës do të sjellë sërish një fuqizim të vranësirave në zonat malore duke sjellë me vete rebeshe të shkurtra, kryesisht në zonat lindore. E diela do të ketë reshje të përkohshme shiu në zonat e ulëta, ndërsa bregdeti do të jetë më pak i prekur nga shirat (zonat e Fierit, Lushnjës etj.)

Temperaturat janë ulur ndjeshëm, deri në 6-7 gradë.