Kur thamë në krye të herës, që ajo është gati për të "pushtuar" botën e muzikës latine, nuk kishim dyshime. Përkundrazi! Argumentat janë të forta dhe bindëse. Ja ku erdhi ai i radhës. Pas "En la Intimidad", që erdhi si bashkëpunim muzikor me artistin e njohur latin Jowell, sot këngëtarja Soni Malaj na njohu me një tjetër arritje të sajën profesionale.

Quhet "Sensual inspiration" dhe aktualisht gëzon statusin e këngës hit të konfirmuar në gjithë botën latine. Por, ishte kërkesë e Jowell, i cili siç thotë vet Soni Malaj u dashurua pas zërit të saj kur erdhi në Tiranë, dhe gjatë bashkëpunimit të parë me "En la intimidad", ai i kërkoi që të këndojë edhe "Sensual inspiration".

Si një nga hitet e preferuara edhe të Sonit, ajo thotë që e këndon në makinë, por kurrë nuk e kishte menduar se diçka profesionale do të vinte pas kësaj. "Duke qenë se kam përfunduar studimet për frëngjisht, unë e hodha zërin pa e ditur nëse do të konfirmohej apo jo si bashkëpunim. Por, më në fund më erdhi konfirmimi zyrtar nga labeli dhe nga autorët e këngës. Ja ku doli versioni i ri i "Sensual inspiration" në frengjisht dhe spanjisht", thotë Soni për revistës "Class".

Risi e madhe është fakti që këngëtarja shqiptare e interpreton këtë hit bashkë me një prej zërave më të mëdhenj të muzikës latine, Farruko. Me miliona fansa dhe admirues të muzikës së tij, ai ka bashkëpunuar me të tjerë artistë të famshëm si Nicki Minaj, J.Balvin, etj.

"Ky është një sukses që unë ende nuk po e përtyp dot. Më duket si ëndërr. Ndihem shumë e lumtur dhe shumë e emocionuar", përfundon këngëtarja shqiptare.