Moderatori i njohur Turjan Hyska mori një vendim të rëndësishëm, por edhe të vështirë besojmë; të shkëputet pas 14 vitesh punë në Vizion Plus. Gjithsesi, Turi e vendosi dhe tashmë do të jetë pjesë e familjes së madhe të Tv Klan. Në një intervistë për Tirana Post, Turi ka zbuluar më shumë rreth kësaj lëvizje kaq të rëndësishme në karrierën e tij. Ai ka treguar se Apartamenti 2Xl do të zhvendoset së bashku me të.

“Është produksion i imi dhe gjithë ata do të më bashkohet në Klan. Jemi një familje dhe lëvizim bashkë”,-është shprehur Turi.

Mirëpo, lëvizja e Turit nuk do të jetë thjesht si producent i Apartamentit 2XL. Ai ka zbuluar edhe postin e rëndësishëm që do të ketë në këtë televizion.

“Në Klan HD do të realizoj dy projekte gjigande. Një ndër ta është një upgrade i Apartamentit 2XL dhe tjetrin s’dua ta zbuloj. Ndërkohë, me Klan Plus, i cili do të ndryshojë dhe emër, si drejtor i përgjithshëm pas premtimit të Sandër Frangajt, shpresoj që të hyjmë fort në tregun e televizioneve gjeneraliste. Ky kanal nuk do të jetë më një zgjatim i Klan, por një konkurrent i denjë në treg. Të paktën kjo është ambicia ime”,-është shprehur Turi.