Kanë plot 7 vjet bashkë, por vetëm pasditen e sotme vendosën të jenë para publikut që gjithmonë i ka simpatizuar. Atë, për hijeshinë dhe bukurinë e pashoqe, pas shpalljes Miss Shqipëria në vitin 2009, ndërsa këngëtarin, për muzikën e ëmbël dhe serenatat që nuk i harron asnjëherë, pavarësisht eventit dhe vendit ku është i ftuar.

Sot, Ertemiona dhe Devisi ishin të ftuar për herë të parë në një intervistë në ekran të dy bashkë. Këngëtari, herën e fundit që ishte i ftuar në “Rudina”, i premtoi moderatores se shumë shpejt do të ishte së bashku me partneren e tij dhe kështu ndodhi. Ertemiona Mejdani, prej kohësh vijon të jetë pjesë e modelingut në Honkong, por këtë radhë erdhi në Shqipëri pas ftesës për të qenë pjesë e 20-vjetorit të Miss Shqipëria.

Lidhja në disatancë me Devisin, natyrisht, nuk ka qenë e thjeshtë. Edhe pse të dy kanë angazhimet e tyre, kanë sakrifikuar për ta mbajtur gjallë lidhjen e dashurisë. Modelja rrëfen se, aktualisht, ajo është pjesë e modelingut në Azi, një vend i cili e ka më të hapur tregun për modelet europiane, por nuk i kanë munguar edhe oferta të tjera nga Europa.

Megjithatë, për dashurinë, kudo që do të jetë, do të sakrifikojë. Ashtu si edhe Devisi: “Ne gjithmonë e gjejmë mundësinë për të qenë bashkë”, – thotë Ertemiona dhe e përforcon Devisi duke thënë se çdo moment bashkë e shijojnë si kulmin e lidhjes së tyre.

Historinë e njohjes, kurrë më parë nuk e kanë treguar për publikun. Ishte koha kur Devisi kthehej rrallë në qytetin e lindjes për ndonjë koncert. Ertemiona u gjend në Korçë bashkë me mikeshat e saj dhe vendosën të shkonin në koncertin e tij. Devisi, në atë kohë po kërkonte një modele për klipin e këngës së tij “Kompleksi fukara” dhe kështu i propozoi Ertemionës për të qenë modele. Ajo pranoi dhe kaq ishte. Një vit më vonë, ajo u bë sërish modelja e këngës së tij, por tashmë çifti kishte vendosur të ishte bashkë.

Edhe pse kanë jo pak, por 17 vjet diferencë, asgjë nuk e pengon më të ardhmen e tyre, madje Devisi shpreh edhe hapur dëshirën e tij për dasmë klasike. Ndërsa Ertemiona, paksa më larg këtij koncepti, dëshiron që çdo gjë ta shijojnë vetëm ata të dy. Por, si një burrë zakoni, Devisi sërish ndërhyn dhe duke ia bërë qejfin edhe partneres, edhe vetes, thotë planet që i kanë diskutuar dhe i kanë të qarta: “Ajo që do bëjmë është kjo: do të jenë 10-20 veta, shtëpia, familjarët, do të shkojmë bashkë në kishë dhe pastaj do t’i hipim makinës (me ato kanoçet që trokasin), pastaj avionit dhe drejt destinacionit…

…. të cilin nuk e tregojnë se cili do të jetë. Por Devisi e di mirë se Miss-i ka shumë dëshirë ta kalojë muajin e mjaltit në Azi, ku edhe është transferuar prej punës. Nuk do t’ia prishë qejfin, kështu që, me shumë mundësi, sapo ceremonia të bëhet, muaji i ëmbël do të jetë drejt vendeve aziatike.

Ajo që të dy duan më shumë për ceremonië është një dasmë e bukur, romantike dhe e shenjtë. Me kaq, e kanë përmbushur dëshirën e tyre dhe ëndrrën e ditës më të bukur.