Nëse thua Klan, ke thënë edhe “Opinion” dhe nëse thua “Opinion”, ke thënë Blendi Fevziu. Një trinom që ecin bashkë prej më shumë se 20-vjetësh dhe që do të vazhdojnë për të paktën edhe një 5-vjeçar tjetër. Ky vendim i fundit erdhi zyrtarisht nga Tv Klan pas ofertës që gazetari dhe moderator i “Opinion” në Tv Klan pati nga Top Channel dhe nga Ben Blushi. Vendimi, siç u kuptua dhe siç e konfirmoi edhe vetë Fevziu publikisht, ishte i vështirë. Por, në fund, ai bëri një zgjedhje emocionale, jo racionale. Kjo e fundit, mund të kishte shumë e thjeshtë. Dilema që Blendi kaloi gjatë këtij momenti e lëkundi atë si asnjëherë më parë, megjithatë, ai e arsyeton vendimin e marrë në fund nisur nga lidhja emocionale me Tv Klan.

Në një intervistë të fundit për "360 Gradë" në Ora News, Fevziu u ka dhënë fund dilemave se ku do të jetë sezonin e ardhshëm:

Unë kam thënë çdo sekondë që kam qenë mes një tundimi për një projekt shumë interesant që në Top ka nisur të zbatojë Ben Blushi, një miku im i vjetër dhe, natyrisht një gazetar shumë i mirë (në mos një nga më të mirët në vend, pavarësisht karrierës së tij të gjatë politike) dhe tërheqjes emocionale ndaj një televizioni ku kam qenë prej 20-vjetësh pa pasur kurrë shqetësime nga ato që shumë prej kolegëve kanë në ekrane të ndryshme. Unë kam thënë që kjo nuk është një zgjedhje racionale, ato priten kollaj. Ka qenë një zgjidhje emocionale, që janë më të vështira. Zgjidhja ka qenë po emocionale në këtë rast. Kam vendosur të jem në një vend ku ti prapë, gjithsesi, me të gjithë problematikën, je i mësuar, ke krijuar një lloj stabiliteti.