Qindra qytetarë nga e gjithë Shqipëria planifikuan që mëngjesin e sotëm ta zbardhnin në Kishën e Shna Ndout, në Laç. Sot janë përmbyllur 13 të martat e shenjta që, sipas sipas besimit të krishterë, kulmojnë në mesnatën e 12 dhe 13 qershorit.

Po cilat janë historitë dhe misteret që rrëfehen vazhdimisht për vendin e shenjtë?

1. Sipas besimit të krishterë, një pelegrinazh që praktikohet në një ditë si kjo është në emër të sacrificës, shenjë lutjeje a falënderimi që i dërgohet shenjtorit, i cili njëherësh bën edhe mrekulli.

2. Sipas besimtarëve, mrekullitë e këtij vendi të shenjtë janë të faktuara me shembuj konkretë. Të lindurit të verbër, pasi kanë shkuar në këtë vend të shenjtë, kanë nisur të shikojnë e të paralizuarit janë ngritur në këmbë.

3. Lutjet në këtë vend të shenjtë thuhen se dëgjohen nga Shna Ndou, i cili bën mrekulli nga më të paimagjinueshmet.

4. Mrekullitë e Shna Ndout ndër shqiptarë e më gjërë nuk kanë fund. 

5. Pelegrinazhi realizohet çdo vit për 13 të marta rresht (por edhe ditë të tjera) deri në ditën e 13 qershorit.

6. Vizitorët e Shna Ndout kanë  dy pika të rëndësishme referimi: kishën dhe shpellën e Shën Vlashit.

7. Historia thotë se Shën Vlashi ka qenë ipeshkëv dhe jetonte në qytezën e lashtë të Sebastes, por paganët e ndoqën deri tek kjo shpellë ku u strehua dhe  të pafetë e gjetën dhe e mbytën. 

8. Të moshuarit tregojnë se ritualin e 13-të të martave e kanë ndjekur edhe në kohën e regjimit, edhe atëherë kur besimi në Zot ishte i ndaluar.

9. Shën Antoni vdiq në moshën 36-vjeçare pas një jete shenjtore. Për numrin e shumtë të mrekullive që i njihen, ai u kanonizua një vit pas vdekjes nga Papa Gregori IX. Në vitin 1946, Papa Pio XII e ka renditur Shën Antonin mes doktorëve të kishës katolike dhe i ka dhënë titullin doktor evangjelik, në lidhje me shkrimet e tij dhe në predikimet që bazohen në citimet e Ungjillit.

10. Në vitin 1981, një grup ushtarësh nga toga e Drojës mori urdhër të shkonte te kodra e Shna Ndout, në Laç, për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit. Të krijohej përshtypja se qeveria kishte frikë edhe nga rrënojat. Ndërtesa qe shembur në vitin famëkeq 1967, kur regjimi komunist doli haptazi në shesh të mejdanit kundër Kishës. E, natyrisht, edhe kundër Shna Ndout. Duel i heshtur i armës me uratën! Po më kot u mundua t’ua presë udhën besimtarëve. Një frymë misterioze i tërhiqte aq sa të përballonin deri diktaturën, që nisi të shqetësohej seriozisht për këtë fenomen. Prej këndej ushtarët e zonës morën urdhër t’i hidhnin në erë muret e, me ta, të shlyenin përgjithmonë edhe kujtesën e kishëzës e të Shna Ndout.

11. Dëshmitarë të shumtë okularë thonë se këtu janë bërë mrekulli të pabesueshme. M. Lleshi shprehet: “Kam parë me sytë e mi se si e sollën një vajzë pa gojë e që  nuk ecte me këmbët e veta. Fjetën një natë këtu, të nesërmen i erdhi goja dhe këmbët”.

12. At Mikel Pëllumbi, i cili mban edhe meshë në Kishën e Shën Antonit, ka thënë se çdokush është i mirëpritur në këtë vend, pavarësisht se cilit besim fetar i përket.

13. Shtypi i huaj është nxitur nga një lajm që agjencia Reuters ka komentuar për vendin "çudibërës" ku ndodhet kisha e Shna Ndout në Laç. Në një kronikë të sajën, Agjencia e lajmeve Reuters flet për kishën magjike, e cila vizitohet çdo ditë nga qindra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria. Siç shprehet Reuters, ajo që besimtarët kërkojnë në këtë kishë është shpëtimi fizik dhe shpirtëror. Një prej tyre, Agron Ceiku, i cili ka ardhur nga Italia vetëm për të vizituar këtë vend të njohur si Kisha e Laçit, beson se kjo kishë ka fuqinë t’u japë zgjidhje problemeve të tij shëndetësore.