Në atmosferën e diskutimeve dhe debateve lidhur me një çështje shumë të nxehtë, siç është ajo e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, të gjithë kemi qenë dëshmitarë kohë pas kohe të zhvillimeve të fundit lidhur me këtë ngjarje.

Të shumtë kanë qenë artistët që kanë reaguar kundër këtij vendimi, dhe ata kanë dalë në opinione dhe deklarata për shtyp nëpër media dhe emisione të ndryshme ku kanë qenë protagonistë. Një i tillë, ka qenë edhe emisioni i Eni Vasilit "Studio e Hapur" në News24, ku në vazhdën e diskutimeve mbi këtë çështje, ka qenë Mirush Kabashi që ka adresuar një lloj akuze ndaj drejtorit të Teatrit Kombëtar, Hervin  Çuli, ku sipas aktorit të mirënjohur, vërehet një lloj censure në tekstet që interpretohen në skenën e TK dhe kjo vjen nga vet Çuli.

Nuk ka vonuar reagimi i këtij të fundit, i cili përmes një statusi në FB, ka lëshuar një lumë akuzash ndaj Kabashit, i cili përveç roleve të shumta me të cilat identifikohet në profilin e tij si artist i madh, veçmas të tjerave dallon për "Apologjia e Sokratit" që ka ngritur peshë publikun dhe çdokënd që e ka shijuar nga afër interpretimin e tij.

Por, fjalët fyese deri edhe akuzat e Çulit ndaj Kabashit, kanë marrë të tjera përmasa. Ndër të tjera, drejtori i TK-së në statusin e tij në FB shkruan: " “Hahahaha! Zotëria “hani pini dhe rrëmbeni”, pasi “grabiti” për 15 vjet rrogën ne Teatrin Kombëtar, ka filluar të recitojë patologjikisht mediave gjoja se i dhemb shpirti për godinën e Teatrit Kombëtar. Ky individ që morri rrogën 15 vjet dhe u ngjit në skenën e TK-se vetëm me një shfaqje, është objekt për librin e rekordeve Gines. 100 milion lekë (të vjetra) ka përfituar me statistikë në 15 vjet zotëria që fuste kartën në bankomat pa u skuqur fare. Nëse ndonjë nga miqtë më gjen diku në Europë, Amerikë, Australi ose në Hënë apo në Mars një “grabites” të tille, ju lutem miq të më bëjë me dije. Ndërkohë, individi “hani pini dhe rrëmbeni” është edhe një mashtrues ordiner. Më akuzon sonte tek emisioni i Eni Vasilit si censor të programit artistik të institucionit. Por, kaq gënjeshtar ordiner është saqë shembullin e shpik aty për aty, duke ju marrë fjala si memec, dhe ja vë në gojë regjisorit Altin Basha. Tmerr!!! Gënjen me zërin e tjetrit! Gënjeshtari ordiner thotë se unë i kam kërkuar regjisorit Basha tekstin e veprës “Gomari i Babatasit” për ta kontrolluar përpara se të jepja lejen për t'u shfaqur në skenën e TK-së. Altin Basha dhe Rita Gjeka, amani, nëse ju kam kërkuar tekstin ma thoni se unë i shkreti se mbaj mend, po ma thoni aman, se mendja e shkretë në këto kohë të turbullta nuk i dihet në ç’drejtim të paditur rrëshket", e përfundon statusin e tij Çuli.