Futbolli dhe Kosova mbetën pa legjendën e të gjitha kohërave. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në moshën 57 vjeçare është ndar nga jeta sot pas një komplikimi shëndetësor. Ai ka pësuar një sulm në zemër gjatë orëve të para të mëngjesit.

Ai u bë frymëzim për shumë breza sportistësh kosovarë dhe ikonë e futbollit, jo vetëm në hapësirat shqiptare, që nga vitet ’80, duke e fituar betejën e fundit, anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Fadil Vokrri kishte lindur me 23 korrik të vitit 1960 në fshatin Sfeçël të komunës së Podujevës. Ai njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar”, i cili kishte një karrierë mjaft të bujshme. Në vitet ’80 Fadil Vokrri kishte arritur kulmin e karrierës se tij.

Fadil Vokrri kishte luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, ku kishte shënuar 5 gola. Vokrri kishte luajtur për një periudhë kohore për NIM, Francë. Në vitet 1990-1992, legjenda e futbollit kosovar kishte luajtur për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe kishte arritur shumë suksese për këtë ekip. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai ishte vendosur me banim në Francë, ku ishte bërë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë. Pas një kohe të suksesshme atje, legjenda e futbollit ishte kthyer në Kosovë dhe jetoi në Prishtinë. Fadil Vokrri ishte president i Federatës së Futbollit Kosovar, FFK-së për tri mandate me radhë.