Në përballjen me artistët e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e së martës në Top Shoë, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se është parashikuar të ndërtohet një teatër i ri, në ambientet e atij aktual, por pranoi se nuk ka ende asnjë projekt apo afat konkret.

Kumbaro mohoi edhe zërat që flisnin për planifikimin e një kulle në ambientet aktuale të Teatrit Kombëtar, ndërsa theksoi se ekspertiza ka dalë në konkluzionin se nuk ia vlen të rikonstruktohet.

Raportet e inspektimeve që kemi bërë në Teatrin Kombëtar na çuan në konkluzionin se nuk ia vlen që në atë godinë të shpenzohet asnjë para për rikonstruksionin, sepse është një godinë shumë e vjetër, e ndërtuar për një periudhë të shkurtët kohore. Prandaj, vendosëm që në atë ambient të ndërtohet një sallë e re teatri, moderne dhe bashkëkohore, në të njëjtin vend ku është aktuali. Unë nuk kam dëgjuar asnjë histori kulle dhe nuk di nga kanë dalë këto histori. Pra, është diskutuar që qeveria dhe Bashkia e Tiranës, të parashikojnë në të njëjtin truall ku ndodhet sot Teatri Kombëtar, të ndërtohet një teatër i ri. Nuk ka ende një projekt dhe një afat konkret për ta bërë këtë, sepse jemi ende në diskutime dhe studime. Unë ju garantoj se ambienti i Teatrit Kombëtar do të jetë Teatër Kombëtar, pa kulla”,- tha ministrja Kumbaro.

Ndërkohë, e pyetur përse nuk u zgjodh një model për t’u dhënë mundësi artistëve vetëmenaxhimin e këtyre fondeve, Kumbaro u përgjigj: “Sepse duke ruajtur strukturën tradicionale, gjykuam që të marrim modelet europiane. Fondet ndahen në të gjitha fushat që mbulojnë Ministria e Kulturës, përfshirë këtu edhe fondin prej 30 milionë lekë që shkonte për “Qendrën e Artit””.

Burimi: Top Channel