Nuk është viti i parë që publiku shpërthen në duartrokitje pas performancës së një këngëtari shqiptar, ashtu siç nuk është edhe viti i parë që ne, publiku i këtushëm, presim vlerësimin maksimal për përfaqësuesin tonë në Eurovision. Por nuk është as hera e parë që çdo vit na duket ndryshe, më i mirë. Si ky vit, kur në skenën e Eurosong përfaqësues i Shqipërisë do të jetë Genti.

Një nga zërat më të mirë të rrokut shqiptar, një nga më modestët dhe më ambiciozët njëkohëshit, Gent Bushpepa, ka nisur rrugëtimin drejt Eurosongut që do të mbahet në Lisbonë në datat 8-10 maj. “Mall”, kënga përfaqësuese e Bushpepës, tashmë po promovohet në disa prej qyteteve më në zë të Evropës dhe, nga pritshmëritë e para, vlerësimet janë maksimale.

Mbrëmjen e djeshme, këngët përfaqësuese të Eurosong janë prezantuar para publikut në Amsterdam. Sapo Genti ka dalë në skenë dhe derisa ka përfunduar këngën “Mall”, publiku nuk e ka ndalur për asnjë moment entuziazmin. Flamuj të ngritur, duatrokitje dhe lëvizje që ndiqnin ritmin – gjithçka duket se ka kaluar përmes një magjie që është përcjellë me zërin e Gentit.

Disa prej këtyre momenteve i ka publikuar në Instagram Eurovision Albania, duke ndarë edhe një pjesë të mirë të komenteve e reagimeve të fansave: “Zëri më i bukur që kam dëgjuar ndonjëherë”, “Zë i mrekullueshëm”, “Absolutisht 12 pikë për Shqipërinë”, “Meriton pa asnjë dyshime finalen e madhe” dhe shumë vlerësime të tjera për Gentin, zërin e tij unik dhe performancën, vijojnë të shkruhen edhe në faqen zyrtare të Eurosong.

 

Eugent Bushpepa - Mall / Eurovision in Concert, Amsterdam @eugentbushpepa

A post shared by Eurovision Albania ©FFICIAL (@eurovisionalbania) on

Dalja e fundit e Gentit pak para nisjes në Amsterdam ishte në The Voice Kids, dy javë më parë. Pasi e prezantoi edhe një herë këngën përfaqësuese të festivalit europian për publikun shqiptar, Ledion Liço tha se, nëse këtë vit, vlerësimi për këngën shqiptare do të jetë njëlloj si çdo vit tjetër, atëherë ai nuk do të besojë më në këtë kompeticion…

Dhe, me siguri, jo vetëm Ledioni.