Trupi si një kryevepër. Mbi të gjitha, aftësia e tij për të shprehur. Kjo nuk është diçka e re dhe as e panjohur më parë, por në shfaqjen e Angjelin Preljocaj, "Trait d'Union & Creation 2017", premierë botërore mbrëmë në Tiranë, vinin absolutisht në një formë dhe lartësi të re dhe të panjohur më parë.

Dy pjesë baleti, një e vjetër dhe një e re, përbënin premierën botërore "Still Life" të turit ballkanik që koreografi francez me rrënjë shqiptare, e nisi nga Tirana. Do të udhëtojë në Prishtinë e Beograd më pas, për të vazhduar në të gjithë Evropën.

Në skenën e Pallatit të Kongreseve fillimisht u ngjit duoja e "Trait d'union", një krijim i vitit 1989, shumë i dashur për koreografin dhe shumë i njohur në fushën e baletit modern, por këtë herë një prej balerinëve ishte shqiptar, Redi Shtylla, i cili bashkë me balerinin francez solli kërcimin trup me trup “poetik dhe pasionant” të shkruar mbi muzikën koncertore të J.S. Bach dhe të interpretuar nga Glenn Gloud. Për minuta të tëra, do të interpretonin para publikut me heshtjen e jashtme dhe me muzikën që çdo spektator kishte në kokë, në pamundësi për të mos u përfshirë në lëvizjet e tyre, thyerjen e vetmisë, përplasjet e pasionit, atë zbërthim dhe shprehje të rrallë të ndjesive në muskuj.

Pjesa e dytë e shfaqjes ishte baleti, premierë absolute, "Krijimi". Gjashtë interpretues, dyshja e djemve të baletit të parë dhe katër balerina do të risillnin një sinkron të plotë, të pjesshëm apo koregorafi personale, emocione intensive me lëvizjet e tyre dhe kompaktësinë mbresëlënëse në të gjitha fazat e këtij krijimi. Tinguj elektriciteti, rrahje zemre, gurgullima, goditje çekani dhe gjashtë kuba që zbulonin reliket e brezave të kaluar, të mbretërive të rëna, shpatat e një lufte si pjesë e pandarë e historisë së njerëzimit, iu bashkoheshin në dimensionin zanor dhe pamor bashkëveprimit të tyre. Sinkron i plotë, i pjesshëm, koreografi personale dhe kompaktësia mbresëlënëse e një trupi me gjashtë gjymtyrë.

Një duartrokitje e gjatë, e përndezur sigurisht me shfaqjen e koregrafit Preljocaj, që përshendeti me përulësi e u largua me shpejtësi për t'ua lënë skenën dhe duartrokitjet interpretuesëve, ishte më e pakta çfarë mund të meritonin ata artistë, që të ndërgjegjësonin sesi disiplina kthehet në art dhe arti kthehet te njeriu.