Elhaida Dani sapo i ka dhënë fund pritjes. “Më mbaj”, projekti i saj më i ri, i punuar e i kuruar me shumë kujdes, me një histori tërësisht personale, sapo është publikuar.

Pas një periudhe 2-vjeçare larg prodhimeve të reja për shkak të angazhimit në musical-in Notre Dame de Paris të Riccardo Cocciante-s, këngëtarja është rikthyer në publikun e saj, por ndryshe nga çdo herë tjetër.

“Më mbaj” është e para këngë në të cilën Elhaida vjen edhe si kompozitore, jo vetëm si tekstshkruese. Vetëm pak ditë më parë, kur prezantoi për publikun edhe teaser-in e këngës, Elhaida tha për revistën Class se "kjo këngë është ndryshe nga ato çfarë kam sjellë deri me sot! E thjeshtë, e drejtpërdrejtë dhe personale!"

"Më mbaj" është një këngë pop folk e remiksuar nga Olti Dj, ndërkohë që për muzikën Elhaida ka bashkëpunuar me kompozitorin italian, Zeno.

Kënga tregon ndjesinë që gjithsecili nga ne mund të ketë kur një histori mbaron, një dëshirë për t'u rikthyer ndoshta vetëm për një natë, një rrëfim i sinqertë dhe intim i këngëtares.

Në postimin e saj në Instagram, Elhaida ka falënderuar të gjithë bashkëpunëtorët dhe ka ndarë edhe një herë emocionin dhe pasionin që e lidh me këtë këngë tërësisht personale.