Pishinat janë një nga mundësitë e freskimit dhe argëtimit për qytetarët e Tiranës, por edhe qyteteve të tjera.

Megjithatë ato paraqesin rreziqe për infeksion që të gjithë duhet t'i kenë parasysh.

Bruna Shiroka, drejtoresha e qendrës shëndetësore nr 3, është shprehur për report tv se klori tek uji i pishinave mund të provokojë shqetësime të ndryshme në lëkurë, ashtu si dhe shezlloni mund të kthehet në burim infeksioni.

“Supozojmë që një person me një problem të lëkurës, të themi në thonjëza i “pakujdesshëm”, ka përdorur një shezllon, atëherë përdorimi i atij shezlloni nga një person i shëndetshëm, e ekspozon atë ndaj atij problemi i cili është fillimisht të padukshëm dhe kur bëhet i dukshëm është vështirë i kontrollueshëm. Gjithashtu sasia e shtuar e klorit mbi vlerën e parametrit të caktuar nga ideja për t'i mbrojtur ata që frekuentojnë pishinat, sjell probleme për lëkurën”, tha Shiroka.

Mjekja Shiroka, jep edhe disa këshilla për t’u mbajtur parasysh gjatë frekuentimit të pishinave, duke vënë theksin tek higjiena personale.

“Nëse do ruheshin rregullat, përdorimi i dushit para se të futesh në pishinë, ndërsa për fëmijët e vegjël është më pak i këshillueshëm përdorimi i pishinës dhe pas pishinës këshillohet banjo trupi”, shtoi mjekja Shiroka.

Personat me infeksione të lëkurës duhet të tregohen të përgjegjshëm për të mos përdorur pishinat apo shezllonët publikë gjatë kësaj faze, ndërsa të tjerët duhet të jenë të kujdesshëm sepse në shezllon, apo pllakat e pishinës ku shkelin zbathur, mund të marrin infeksione, prandaj duhet të lajnë trupin menjëherë pas çdo ecjeje zbathur dhe të vendosin peshqirë të pastër mbi shezllon që duhet t'i dezinfektojnë më pas. Gjithashtu duhet të shkojnë drejt dusheve edhe pasi dalin nga pishina për t'u mbrojtur nëse uji nuk ka qenë i pastër.

Mjekët këshillojnë që të mos frekuentohen pishinat e mbipopulluara, pasi në këtë mënyrë shmangen edhe infeksionet që mund të merren aty. Për çdo shqetësim qytetarët duhet t’i drejtohen konsultave mjekësore, shkruan report.tv.