Festat e fundvitit po afrojnë dhe të gjithë po planifikoni sesi t’i festoni. Me siguri keni menduar që pas orës 00:00 të prenotoni diku ku ka muzikë live dhe ku mbi të gjtha kërcehet. Është shumë e rëndësishme që ju të zgjidhni veshjen dhe make up-in e duhur.

Class Make up ju këshillon për truket që duhet të keni parasysh. Sigurisht që festa e lejon një grim më të dukshëm dhe mund të luani me ngjyrat e ndezura si për sytë ashtu edhe për buzët. Fillimisht zgjidhni një fondotinë pak në bronz, për të konturuar fytyrën dhe një më të çelët për pjesën e poshtme të syve, për të përcjellë një pastërti dhe ëmbëlsi hyjnore.

Sytë të sfumuar me një kombinim ngjyrash ose një penel i zi me një sfond pana ose ngjyrë nude, më i plotë te pjesa e bishtit të syrit, do ishte zgjedhja ideale për të nxjerrë në pah tiparet tuaja më të bukura. Nuk mund të lihet mënjanë buzëkuqi i kuq, vishnje ose lejla e errët, ngjyra këto sa të ngrohta aq edhe festive.

Ja ku ju sjellim disa ide sesi mund të grimoheni në ato net festive, duke sjellë në tërësi një look për t’u mbajtur mend gjatë.