Përkujdesi për lëkurën e fytyrës përfshin disa gjëra thelbësore siç është pastrimi nga grimi çdo natë, larja dhe hidratimi. Por një tjetër gjë po kaq e rëndësishme është edhe eksfolimi i lëkurës, që realizohet nëpërmjet scrub-it. Përdorimi i scrub-it është shumë i rëndësishëm, pasi siguron një pastrim më të thellë të lëkurës duke ndihmuar në largimin e qelizave të vdekura dhe duke e bërë atë të duket më e shëndetshme.

Pasi lani fytyrën aplikoni scrub-in, por duke shmangur zonën rreth syve. Me kujdes aplikojeni në fytyrë me lëvizje rrethore, por mos ushtroni shumë presion, sepse mund të dëmtoni lëkurën. Scrub-i rekomandohet të përdoret 1-2 herë në javë, kurse për lëkurat e thata këshillohet vetëm një herë në javë.

Në dyqanet me produkte kozmetike gjejmë lloje të ndryshme scrub-i, por për të gjithë ata që preferojnë të përdorin produkte bio mund ta përgatisin edhe vetë në shtëpi. Për një scrub në kushte shtëpie ju duhet sheqer, mjaltë dhe disa pika limoni. Përziejini bashkë dhe aplikojini në mënyrën e mësipërme.