Një nga problemet më të zakonshme të lëkurës është krijimi i rrathëve poshtë syve. Të gjithë jemi të lodhur pas një dite të gjatë, kemi probleme me pagjumësinë, stresin apo edhe dëmtimin nga rrezet e diellit, dhe në të gjitha rastet qeset nën sy janë të shëmtuara. Por ajo që kuptojmë është që lëkura nën sy është shumë e ndjeshme dhe ka nevojë për t’u trajtuar.

Dhe nëse po kërkon një ilaç magjik që ta zhdukë këtë pamje një herë e mirë, është koha për të provuar disa prej këtyre metodave të provuara dhe të vërtetuara.

Hidratoje lëkurën në çdo kohë. Mund ta kesh dëgjuar një milion herë: "Pi më shumë ujë!" Por ja pra, që qeset mund të shfaqen sepse në këtë zonë ka një përqendrim të madh të kripës e cila vjen si shkak i mungesës së ujit. Duke pirë më shumë ujë, e ndihmon lëkurën për të larguar kripën dhe toksinat e tjera.

Përdor kremin hidratant. Ndërsa temperaturat bëhen më të ftohta, është shumë e rëndësishme që të përdorësh një krem hidratant, pa e neglizhuar zonën nën sy. Mund të përdorësh kremra të ndryshëm që përmbajnë vaj bajame çdo mbrëmje para gjumit.

Trajtoji rrathët me bustina çaji. Çaji jeshil dhe i zi mund të ndihmojnë në reduktimin e rrathëve të syve, pasi përbërësit që përmbajnë luftojnë inflamacionin. Bustinat lëri të ftohen për rreth gjysmë ore në frigorifer. Më pas vendosi mbi sytë për disa minuta. Përsërite procesin një herë në javë derisa shenjat e rrathëve të zhduken.

Ndrysho regjimin e gjumit. Përveçse duhet të bësh më shumë gjumë, një gjë tjetër është edhe të ndryshosh pozicionin në të cilin fle, veçanërisht nëse fle në njërën anë apo përmbys. Provo të flesh me shpinë për të zhdukur rrathët, pasi pozicionet e tjera mund të ngushtojnë enët e gjakut në fytyrë.