Kur bëhet fjalë për produktet tona të preferuara, mund të jetë e thjeshtë për t’i gjetur dhe për t’i përdorur sa herë të duam, por a ke menduar ndonjëherë se ndonjë prej këtyre produkteve që përdor më shpesh mund të të dëmtojë seriozisht shëndetin? Sipas ekspertëve, përgjigjja është një PO e madhe. Edhe nëse të ndihmojnë për të ruajtur bukurinë, ka disa formula, të cilat janë rrezik serioz nëse vazhdon t’i përdorësh pa limit. Madje, pasojat shkojnë deri në dëmtim të madh të lëkurës.

Një prej produkteve kozmetike, i cili u rekomandohet shpesh të gjithëve, por në të vërtetë, nga përdorimi pa limit, mund të të bëjë më shumë dëm sesa mirë, është scrub-i.

Shprehja magjike ‘më pak është më shumë’ vlen edhe në këtë rast për të bërë të kuptosh saktësisht se shpesh duhet ta përdorësh scrub-in që të përfitosh atë që do.

Scrub-et janë zakonisht formula të cilat preferohen nga një pjesë e mirë e vajzave. Është një trajtim i mirë i lëkurës, por as me të nuk duhet tepruar. Kokrrizat nga të cilat përbëhet scrub-i mund të jenë të dëmshme, sepse largojnë kolagjenin e mirë dhe të shëndetshëm. Duke e pastruar lëkurën deri në shtresat më të thella, scrub-i bën të mundur që lëkura të bëhet më e prekshme ndaj baktereve që shkaktojnë puçrra, dëmtimet e diellit apo edhe dëmtime të tjera.

Sa herë duhet ta përdorësh? Vetëm disa ditë në javë (2-3), madje, më mirë akoma, një trajtim të tillë mund ta bësh pasi të jesh konsultuar me një dermatolog.