“Oh, sa e mirë” është një prej komenteve që gjendet i përsëritur dhjetëra dhe qindra herë sa herë mami fashion poston një foto me vajzën. Mania e të gjitha nënave të reja që janë familjare me rrjetet sociale, për të postuar foto me fëmijët e tyre, jo vetëm në botë, por edhe në Shqipëri, çdo ditë e më shumë është kthyer në qëllim në vetvete. Jo vetëm për t’ua prezantuar të gjithëve vajzat e tyre, por, mbi të gjitha, përmes modeleve të vogla, të ndajnë kënaqësinë dhe lumturinë e të pasurit një vajzë-kukull jo vetëm të ngjashme me veten, por edhe një modele për shoqe.

Nëse është trend apo jo, pak rëndësi ka. Kur shikon këto foto të ëmbla nënë e bijë, vështirë ta mbash buzëqeshjen që të shkon vesh më vesh, ashtu si edhe ndjesinë “Oh, sa e mirë.”

JLo është një prej personazheve që shumë shpesh poston me vazjën e saj, Emme, e cila është një mini diva dhe këtë mund ta pranojnë të gjithë pa hezitim.

Mes shumë personazheve të njohur shqiptarë, ka edhe shumë nëna që ndajnë me miqtë virtualë momentet me vogëlushet e tyre.

Inis Gjoni i gëzohet gjithmonë Coco Antonel, madje shpeshherë ajo realizon sete me të njëjtat veshje. Të dyja janë thuajse kopje e njëra-tjetrës, por Inisi, natyrisht më shumë, i gëzohet faktit që ka një vajzë me të cilën ka filluar që tani të ndajë gjithçka.

Renee, çfarë mund të thuash për këtë vogëlushe që sa herë del në Instagramin e mamit apo të babit, i çmend të gjithë? Me veshjet, me bëmat e saj në muzikë, me kërcimin, me gjithçka. Edhe në rastet kur i vjen në ‘ndihmë’ mami Norës për foto fashion, është një cool girl e vogël dhe e jashtëzakonshme me portretin e saj.

Deisi është akoma e vogël, por kjo nuk ka fare rëndësi për mami Suadën. Miss-i i gëzohet së bijës jo vetëm me setet e ndryshme fotografike, por edhe me kombinime të përditshme. Mjafton një foto në profilin e saj me të voglën, të gjitha pikët shkojnë drejt Deisit që nuk bën as përspjekjen më të vogël për t’ua rrëmbyer zemrat të gjithëve.

Ella Faria-n ne e njohim të gjithë, madje sapo lindi u bë menjëherë mikesha e të gjithëve. Emina Çunmulaj i ka ndarë gjithmonë me të gjithë momentet më të bukura me të bijën. Ella, sapo ka festuar 2-vjetorin e lindjes dhe së shpejti do të jetë motra e madhe.  

Sophie, vajza e Irena Kitës, është rritur gjithashtu me vëmendjen virtuale të mamit të saj. Sa herë kur Irena poston foto me të bijën, nuk ka sesi të ndodhë ndryshe: janë të kombinuara deri në detaje. Sophie është bërë shpeshherë edhe pjesë e seteve artistike që Irena ka realizuar për kopertina të ndryshme.

Natyrisht, kjo listë nuk mund të jetë kaq e shkurtër. Ka edhe shumë vogëlushe që janë po aq fashion sa mami. Megjithatë, prisni edhe pak muaj. Shumë shpejt, me siguri, do të hyjnë në listë edhe Ami me Sian dhe Zaimina me Khloe.