Përshëndetje lexues të Revista Class! Jeni me mua Gretën në një edicion special të udhëtimit si në filma. Sot do t’ju flas për disa filma mjaft të bukur dhe për disa destinacione turistike ku mund të shkoni këtë Shën Valentin.

E njohur për vendet e mrekullueshme, nuk është çudi që Toskana ka qenë vendxhirimi i shumë filmave. Përzierja e natyrës me ndryshimet e bëra nga dora e njeriut, janë ato që e bëjnë Toskanën shumë të pëlqyeshme nga turistët.

“Under the Tuscan Sun” na tregon historinë e një shkrimtareje të divorcuar e cila blen një vilë në Toskanë dhe fillon një jetë të re në Itali duke u përballur me një kulturë e me karaktere që nuk i njeh. Gjatë rikonstruksionit të vilës së saj, Frances njeh miq të rinj, njeh Toskanën dhe veten e saj.

Vila e Frances është vila Bramasole, mjaft e njohur në rajonin e Toskanës. Kjo vilë u rikonstruktua 4 vite pas filmimeve. Vilën mund ta merrni me qira nëse vizitoni ndonjëherë Toskanën.

Hapësirë keni mjaftueshëm, 10 dhoma gjumi, secila me një tualet. Kuzhina është mjaft e madhe dhe oborri jashtë është magjepsës. Dhe për ju që nuk rrini dot pa postuar foto në instagram, keni wi-fi në çdo cep të vilës.

Bramasole ju ofron shumë zgjedhje; notoni në pishinë, relaksohuni në Jakuzzi, bëni një vizitë në parkun Medici e shumë gjëra të tjera që presin të zbulohen.

Nuk e di ç‘mendoni ju, por mua këto më duken pushime perfekte!

E në qoftë se personin tuaj të zemrës e keni njohur rastësisht, atëherë filmi juaj është “Before Sunrise”. Ky film amerikan i vitit 1995, ndjek historinë e amerikani të quajtur Jesse dhe francezes Céline. Ata njihen në tren e zbresin në Vienë ku përshkojnë qytetin në këmbë gjatë natës dhe bisedojnë me njëri-tjetrin.

Rikrijoni momente nga filmi, duke ndaluar në Riesenrad, Prater. Aty personazhet e “Before Sunrise” japin puthjen e tyre të parë.

Bëni një shëtitje përgjatë sheshit Franziskanerplatz. Ashtu si te filmi, ndaloni dhe ju në Kleines Café. Shijoni një kafe apo çaj të ngrohtë. E mos harroni të shkrepni disa foto për Instagram.

Kleines Café është vendi i duhur dhe për të ngrënë diçka të shpejtë por të shijshme.

Zhvendosemi së bashku në Firence.

Ja disa gjëra interante që duhet t’i dini për qytetin italian:

Firencen do ta eksploroni më mirë në këmbë. Me shumë mundësi nuk do të duhet fare të blini një biletë autobusi apo të dini se ku janë stacionet.

Ky qytet është plot art. Aq shumë art ka Firence saqë një javë nuk do të jetë e mjaftueshme që ta shikoni të gjithin.

Ja disa, nga 100 arsye, pse Firencen duhet ta keni në bucket list:

Pikë së pari, arkitektura është magjepsëse. Edhe në qoftë se nuk jeni ndonjë admirues i madh i arkitekturës do ta vlerësoni atë të Firences. Njerëzit mund të qëndrojnë e të admirojnë me orë të tëra ndërtesat e mrekullueshme të qytetit.

Së dyti, keni galeritë e artit. Patjetër duhet të vizitoni Galerinë Uffizi.

Padyshim ushqimi është i mrekullueshëm në Firence. Kur të largoheni, aq ka për t’ju marrë malli për gatimin saqë do ta gjeni veten duke kërkuar receta në internet.

Këto ishin vendet që unë do t’ju sugjeroja të vizitonit në ditën e të dashuruarve. Merrni personin e zemrës, qoftë i dashuri apo mikja e ngushtë, dhe vizitoni këto vende të mrekullueshme që do t’ju mbushin me dashuri.

Përqafime,

Greta.