Si t'i veshim pulovrat me stil para se "t'u ikë koha"

nga Arjena Duci


Nga Arjena Duci

Të gjithëve mund të na kapë herë pas here "rutina e stilit", përtesa për të bërë kombinime të bukura, të veçanta, etj. E tillë ishte java që lamë pas për mua. E mbushur plot me pulovra të thjeshta, të vendosura plot përtesë pranë "jeans-eve"dhe kombinimeve një apo dy ngjyrëshe pa ndjenja.
Por fatmirësisht, dashuria për botën e modës bën që kjo gjendje të mos zgjasë shumë. Madje sot më erdhi edhe kjo ideja për artikullin. Si t'i veshim edhe pulovrat më të mërzitshme dhe t'i bëjmë të duken stil.

1. Me kominoshe

Kominoshet i pamë ngado këtë sezon, pra nëse nuk i keni një palë, nxitoni dhe bëjini tuajat. Ato kanë fuqinë që edhe pulovrën më të thjeshtë ta bëjnë të duket plot stil. Zgjidhni një palë geta me pika apo me nje dekor tjetër të ngjashëm minimalist dhe ju premtoj që do e pëlqeni shumë veten para pasqyrës. ^_^

2. Mos harroni palat e korrentit

Një fund poshtë gjurit me pala korrenti do ju nxirrte gjithmonë nga situata. Është i këndshëm, i thjeshtë dhe i përshtatshëm për ta veshur në çdo orë të ditës nëse i jep këpucët dhe aksesorët e duhur. Gjatë ditës unë do ju këshilloja një pulovër të thjeshtë dhe çizme të sheshta, kurse në mbrëmje, stiletto dhe një mini çantë me ngjyrë elektrike.

3. Rehat dhe "IN"

Për mëngjeset e shpejta e ditët me shumë aktivitete do ju këshilloja pulovrat "oversized". Ndonjëherë duken shumë të mërzitshme, por veshur me një këmishë një ngjyrëshe poshtë, një palë pantallona lëkure apo "jeans" të thjeshta, do ju bëjnë të dukeni "IN" dhe do fitoni vëmendjen e çdokujt.

4. Jeans "i vjetër"

"Jeans-i" me ngjyrë të hapur është trend i fuqishëm i këtij sezoni. Provojeni më një pulovër me shpatullat jashtë, një palë gjysmë çizme me ngjyra e një beret. Do dukeni tamam sikur jeni pjesë e një filmi nga e kaluara dhe jeni bërë gati të pini një kafe nëpër rrugët e kalldrëmta.

5. Me mini-fund

Dok, "jeans", lëkurë... Nuk ka rëndësi! Mini fundet mund të vazhdoni t'i përdorni dhe duhet pranuar: janë të mrekullueshme sepse përshtaten me gjithçka. Bluza, këmisha, atlete, çizme të gjata, gjysmë çizme, këpucë me taka. Kini pak kujdes sesi i bashkoni elementet me njëra-tjetrën dhe shkëlqeni. Në këto ditë të ftohta, unë do zgjidhja një fund me copë të plotë dhe pulovër të thjeshtë. Këpucët po jua le juve në dorë. :)

Shumë dashuri, vajza!
Arjena