Përshëndetje Class girls,

Të shkruash përjavë në një revistë është pak e vështirë, sepse të duhet gjithnjë të ndash diçka të re, të mendosh çfarë i pëlqen lexuesit dhe çfarë i shërben atij. Sot vendosa që të flas per atë, të mrekullueshmin, produktin për të cilin të gjithë vajzat betohen që bën mrekulli: Vajin e Kokosit. Nëse flokët të elektrizohen, fytyra është e thatë, duart të çahen, flokët të bien, jeta nuk po të shkon siç duhet… ti ke gjithmonë Vajin e Kokosit! Por ndoshta e teprojmë? Jemi mbështetur pak më shumë seç duhet tek ai?

Personalisht jam shumë e lidhur me Vajin e Kokosit, aq shume sa blogu im COCOmed e ka marrë emrin prej kokosit. Por ka shumë studime dhe artikuj të ndryshëm që na tregojnë se vaji i kokosit nuk përshtatet me të gjithë! Pikërisht këto anë negative të Vajit të kokosit do të ndaj sot me ju.

A duhet përdorur Vaji i Kokosit në fytyrë?

Vaji i Kokosit ka aftësi shumë të mira hidratuese, gjithashtu edhe aftësi antimikrobiale, ndaj është ideal për të luftuar të gjitha mikrobet qe ka grumbulluar lëkura gjatë ditës. Por, ka gjithmonë një por! Vaji i Kokosit vërtetë hidraton lëkurën, por mbyll poret. I bllokon ato duke shkaktuar edhe problem pas një kohe përdorimi sidomos tek lëkurat e yndyrshme, pro akneike.

Si ndikon Vaji i Kokosit tek lëkurat e yndyrshme?

Vaji i Kokosit njihet si një nga vajrat me shkallë komodogjeniteti të lartë, ndaj tek një lëkurë e yndyrshme, vaji shton edhe më shumë ate. Në këtë mënyrë mund të shkaktojë daljen e akneve.

Po për lëkurat e thata?

Vaji i Kokosit është magji për lëkurat e thata. Ai siguron një shtresë mbrojtëse për lëkurën që nuk e lejon atë të humbas ujin duke siguruar hidratimin e duhur.

Si ta përdorim Vajin e Kokosit në rutinën tonë të kujdesit ndaj lëkurës?

Ai është një pastrues shumë i mirë fytyre, madje edhe për make up kokëfortë kundra ujit. Nëse lëkura juaj është e thatë mund ta përdorni për gjithë fytyrën.

Nëse lëkura juaj ështe mikse apo e yndyrshme mund të pastroni buzët apo sytë.

Mund ta përdorni në maskat e ndryshme për floket apo fytyrën.

E di që shumë prej jush mund të jenë mërzitur pasi kanë lexuar këtë artikull, sepse e di sesa shumë e doni Vajin e Kokosit. Por përdoreni me zgjuarsi për një lëkurë që shkëlqen!

Lexohemi javen që vjen!

Përqafime Anta