Këngëtarja 28-vjeçare Samira Sindhu, në muajin e 8-të të shtatzënisë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi është qëlluar për vdekje në një ceremoni familjare mbrëmjen e së martës, në Pakistan. BBC shkruan se rrethanat e vrasjes janë ende të paqarta, por pretendohet se gjatë një feste familjare në të cilën këngëtarja ishte e ftuar të këndonte, një burrë i ka qëlluar pasi Samira nuk ishte ngritur në këmbë gjatë këndimit. Mësohet se i akuzuari ka thënë se e kishte qëlluar gabimisht duke shtënë në ajër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Kanga të qytetit Larkana, afër provincës Sindh.

Bashkëshorti i këngëtares, Ashiq Sammoo, tha për policinë se një burrë i ishte afruar me armë në dorë bashkëshortes së tij duke e kërcënuar që të ngrihej në këmbë ndërsa këndonte. Pasi këngëtarja i kishte thënë se ishte shtatzënë dhe nuk mund të ngrihej, ai e kishte qëlluar.

Vrasësi Tariq Jatoi, është arrestuar nga policia dhe tha për gazetarët jashtë sallës së gjyqit se e gjithë ngjarja ishte aksidentale.

Në një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale shfaqen tre burra që i afrohen këngëtares dhe i hedhin para. Ajo ngrihet në këmbë dhe vazhdon të këndojë. Në momentin që burrat largohen, dëgjohen tri të shtëna dhe këngëtarja bie përdhe.

Muzikantë të shumtë u mblodhën në një protestë të mërkurën duke kërkuar drejtësi për këngëtaren shtatzënë që u vra të martën. Protestuesit të mërkurën kërkuan arrestimin edhe të dy personave të tjerë prezentë, përveç të dyshuarit kryesor.