Hervin Çuli do të jetë drejtori i Teatrit Kombëtar edhe për 4 vite të tjera. Kandidatura e tij është miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë. Rivalet e tij në garën për të drejtuar Teatrin Kombëtar ishin Ema Andrea, Genci Fuga dhe Laert Vasili.

Me propozimin e ministres së Kulturës, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për t’i besuar edhe një mandat të dytë Hervin Çulit. Mandati i dytë i Hervin Çulit në krye të Teatrit Kombëtar vjen në një kohë kur debatet për shembjen apo jo të godinës së TK kanë qenë të shumta.

Ndërsa shumë artistë kanë dalë kundër planit të qeverisë për ta shembur godinën, vetë Çuli ka mbështetur idenë e një ndërtimi tërësisht të ri.