Ditët e fundit të marsit, sipas parashikimit të meteorologëve do të shoqërohen nga mot i ftohtë, me reshje shiu e dëbore, por edhe me shtrëngata. Gjatë natës së të martës reshjet e shiut do të rifuqizohen në të gjithë Shqipërinë dhe në zonat veri dhe verilindje do të rikthehen reshjet e dëborës.

Sipas Meteoalb, e mërkura, gjatë pjesës së parë paraqitet me reshje intensive në veri dhe pjesërisht në qendër, ndërsa pjesa e dytë e ditës zhvendos reshjet mesatare dhe intensive në qendër dhe jug të vendit. Dita e enjte dhe deri në fundjavë, mbetet me reshje të pakta shiu e dëbore.

Temperaturat do të ulen edhe për orët e ardhshme, rënie e ndjeshme do të ndihet gjatë mesditës së të mërkurës. Po ashtu, një tjetër rënie me të paktën 3°C sjell e enjtja, gjatë mëngjesit dhe mesditës, ndërsa e premtja dhe fundjava sjellin rritje graduale të temperaturave në të gjithë vendin.

Ndërsa nga të dhënat e IGJEUM, në qarqet Shkodër dhe Kukës reshjet pritet të jenë më intensive. Në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje mesatare. Qarqet Durrës dhe Berat pritet të kenë reshje të dobëta deri në lokalisht mesatare. Në shumicën e qarqeve, në disa raste, do të shoqërohen me shtrëngata. Reshjet priten më të dendura gjatë darkës së sotme dhe orëve të para të ditës së mërkurë.

Priten edhe reshje në formë dëbore në zonat malore, që në veri do të zbresin deri në 300 m, ndërsa në jug deri në 900 m mbi nivelin e detit, kryesisht nesër.

Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

Në bregdet: 8 / 15 °C

Në vendet e ulëta: 8 / 15 °C

Në vendet malore: 3 / 11 °C