Ditët e fundit të kësaj jave, kur termometri ka mbërritur deri në 25 gradë në mesditë, duke kaluar edhe temperaturat mesatare të marsit, kanë sinjalizuar ardhjen e stinës së ngrohtë. Por nuk rezulton të jetë kështu nga parashikimet e sinoptikanëve.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, të Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, gjatë kësaj jave, duke nisur që nga dita e hënë, temperaturat do të ulen ndjeshëm, deri në 4 gradë celsius dhe në mesditë nuk do të kalojë 18 gradët.

Veç reshjeve të dendura të shiut, gjatë kësaj jave pritet të rikthehen edhe reshjet e dëborës dhe zbritjet e ndjeshme të temperaturave deri nën 0 gradë në zonat malore.

Temperaturat e larta të këtyre ditëve, të cilat shënuan vlera deri në 25 gradë celsius, kanë bërë që të shkrijë dëbora në zonat malore, duke rritur sasinë e prurjeve nëpër lumenj.

Nga përllogaritjet e Institutit të Gjeoshkencave, të Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, rezulton se në lumenjtë e Drinit, Bunës dhe liqenin e Shkodrës do të ketë prurje në nivele të larta, gjë që bën që të zgjerohet zona e përmbytjeve në zonën e nën Shkodrës dhe zonave periferike të qytetit afër liqenit.

Për shkak të reshjeve intensive që priten gjatë mesnatës së sotme dhe gjatë ditës së hënë do të rriten edhe më shumë prurjet në lumenj.