Moti i keq që ka përfshirë të gjithë territorin ditët e fundit dhe ka bllokuar zona të tëra nga bora dhe reshjet e shiut. Thuajse i gjithë qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e dëborës, e cila në disa zona arrin deri në 40 centimetër.

Sipas informacioneve, aktualisht akset rrugore nacionale që përshkojnë qarkun e Kukësit janë nën prezencën e borës dhe efektin e rënies së gurëve, dherave skarpateve. Në Rrugën e Kombit janë angazhuar katër mjete borëpastruese. Lartësia e borës në aksin Tunel-Kalimash shkon deri në 20 cm.

Sipas komunikimit me specialistët e Emergjencave Civile në qarqe, edhe situata e reshjeve në vend paraqitet e rënduar. Në qarkun e Shkodrës, aksi rrugor për në njësinë administrative Shale (për në Theth) dhe Shosh qarkullohet me vështirësi me zinxhirë.

Në qarkun e Kukësit, aksi rrugor për në njësinë administrative Arren është i bllokuar nga bora prej rreth 50 cm. Nuk po punohet se është rreth 50 km i gjatë.

Në qarkun e Dibrës aksi rrugor Trebisht-Dogana-Maqedoni ka rreth 40 cm borë dhe qarkullohet pjesërisht në nje segment rrugor prej rreth 1.5 km, në pjesën e aksit Trebisht-Dogana, me një kalim se ka rënie inertesh.

Në qarkun Elbasan, aksi rrugor Librazhd-Steblevë, segmenti Fushë Studen- Stebleve është i bllokuar nga bora prej rreth 50 cm.

Në qarkun Korçë, në lartësitë mbi 700 m bien reshje bore të dobëta. Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjithë të hapura dhe qarkullohen pa probleme.

Priten përmbytje?

Ndërkohë, meteorologët bëjnë thirrje për të marrë masa, pasi rrezikohen sërish përmbytje. Alarmin e ka dhënë Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit në parashikimin më të fundit në buletinin mbi rreziqet natyrore.

Reshjet kanë qenë intensive në të gjithë territorin, sidomos në jug. Në disa qarqe ato kanë qenë lokalisht deri shumë intensive, duke u shoqëruar me shtrëngata.