Mësuesja e matematikës, në shkollën 9-vjeçare 'Osman Myderizi', në kryeqytet, është lënduar pasi një pjesë e suvasë së tavanit i ka rënë në kokë teksa po shpjegonte mësimin. Mësohet se ngjarja ka ndodhur  në katin e tretë të shkollës, kur mësuesja po jepte mësim në klasën e nëntë. Sipas raportimeve, mësuesja ka marrë plagë në kokë dhe është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën e parë.

Menjëherë pas ngjarjes nxënësit janë zhvendosur në një klasë tjetër për të vijuar mësimin. Mësuesja ka marrë ndihmën e mjekëve në Qendrën Kombëtare të Traumës, ndërsa kolegët tregojnë se gjendja shëndetësore e saj është normalizuar.

Shkolla 9-vjeçare “Osman Myderizi” i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë në vitin 2004, ndërsa gushtin e vitit të shkuar ndërmarrja numër 3 e Bashkisë së Tiranës ka kryer ndërhyrje të pjesshme. Pas kësaj ngjarjeje, policia ka nisur punën për të nxjerrë shkakun dhe përgjegjësitë.