Reshje të dendura bore që kanë vijuar me intensitet gjatë gjithë natës kanë pushtuar të gjithë verilindjen e vendit duke shënuar trashësi bore deri në 50 cm. Në Rrugën e Kombit, në afërsi të tunelit të Kalimashit, trashësia ka arritur në 10 centimetra. Makineritë borëpastruese nisën menjëherë nga puna për largimin e borës nga rruga dhe hedhjen e kripës. Rruga e Kombit po mbahet në qarkullim të plotë dhe pa probleme, ndërsa në disa akse rurale ka vështirësi në qarkullim. Energjia elektrike ka pasur ndërprerje gjatë natës, si pasojë e erërave të forta. Në zonat e Korçës, lëvizja me mjete të ulëta është e pamundur, sepse bora ka bërë të pakalueshme disa rrugë.

Ndërkohë që reshjet po vijojnë me intensitet prej 48-orësh, nga meteorologët parashikohet që edhe në fillim të javës, moti do të jetë me reshje të dendura bore.

Sa u përket reshjeve të shiut, që kanë dominuar në jug dhe perëndim të vendit ditët e fundit, duke filluar që nga dita e hënë, do të kenë intensitet më të ulët. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, rezulton se lumenjtë Drin, Buna dhe Liqeni i Shkodrës do të vazhdojnë të kenë prurje dhe nivele të larta.

Gjatë ditës së hënë, priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare. Në lindje, në zonat malore priten reshje dëbore në 500 m mbi nivelin e detit.

Të hënën, temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

Në bregdet: 5 / 12

Në vendet e ulëta: 5 / 12

Në vendet malore: -2 / 6 °C.