Prej datës 1 shkurt, qeveria do të nisë aksionin për ndërprerjen e paligjshme të lidhjeve të ujit të pijshëm. Sensibilizimi i qytetarëve do të shoqërohet edhe me masa të ashpra, deri edhe në dënim me burg për të gjithë ata qytetarë që ndërhyjnë në rrjet.

Siç mësohet, aksioni në terren do të nisë me sensibilizimin e qytetarëve për vendosjen e sahateve dhe më pas me kontrollin derë më derë për pagimin e faturave të prapambetura.

Pas 20-ditësh, grupet e punës do të ndërpresin lidhjet e jashtëligjshme që cenojnë furnizimin me ujë të pijshëm. Ligji parashikon burg për ata qytetarë, që ndërhyjnë në rrjetin e shpërndarjes së ujit, pasi grupet e kontrollit u kanë ndërprerë lidhjen.

“Në fazën e dytë të aksionit, që konsiston me verifikimin e formalizmit të shërbimit të çdo abonenti derë më derë, pajisjen me ujëmatës të të gjithë abonentëve dhe marrjen e masave për vënien përpara përgjegjësisë të kundërvajtësve dhe shkelësve, që ndërhyjnë në rrjetin e ujësjellës–kanalizimeve”, thuhej në letrën që ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, u dërgoi në dhjetor bashkive dhe ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve.

Aksioni do të nisë me verifikimin e kontratave, sahateve dhe pagesat e institucioneve publike dhe buxhetore e jobuxhetore, më pas me nëpunësit e administratës, biznesin dhe familjarët. Në bashkëpunim me bashkitë, për familjarët që kanë detyrime të mbartura të faturave të ujit, qeveria do të ofrojë edhe skema lehtësuese për kryerjen e pagesave me këste. Skema do të jetë e njëjtë si për detyrimet e faturave të dritave, ku qytetarët duhet të lidhin aktmarrëveshje me ujësjellës-kanalizimet për të paguar detyrimet e mbartura.

Nga të dhënat që jep Enti Rregullator i Ujit, qytetarët janë furnizuar me ujë mesatarisht 11.4 orë në ditë. Por shqetësim mbetet niveli i lartë i humbjeve, ku 67 për qind e ujit humbet për shkak të rrjetit të amortizuar. Ky tregues, të paktën për në katër vitet e fundit, mbetet në nivele aspak të mira dhe përbën shqetësimin kryesor në sektor. Përqindja e mbulimit me shërbimin e furnizimit me ujë në qytet arrin 90 për qind, ndërsa në fshat 62,7 për qind.