Lajmi se një paracetamol i infektuar me një virus vdekjeprurës qarkullon në tregun shqiptar krijoi panik në opinionin publik dhe u nda gjerësisht në rrjetet sociale. Ishte fjala për paracetamolin tip P-500, që nga sa thonë ekspertët, nuk ka qarkulluar ndonjëherë në Shqipëri.

Këtë e ka bërë me dije për publikun Dajana Roshi, specialiste e sektorit të farmakovigjilencës: “Ky bar nuk rezulton të jetë i regjistruar në Republikën e Shqipërisë. Firma farmaceutike përgjegjëse e këtij bari nuk rezulton të jetë mbajtëse e autorizimit për tregtim të barit p-500 dhe asnjë prej barnave që ajo zotëron”, – tha Roshi për Tv Klan.

Megjithatë, ekspertët thonë se edhe në vendet ku ky bar qarkullon, nuk përbën asnjë rrezik për përdoruesit.

“Gjithashtu kemi verifikuar databasën e Bashkimit Europian, nga Qendra e Monitorimit Ndërkombëtar në Uppsala dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, por në asnjë prej tyre nuk raportohet për përmbajtje të virusit në barin paracetamol”, – shton më tej Roshi

Sipas eksperteve, lajmi për paracetamolin e rrezikshëm që u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, rezulton të jetë vetëm një lajm i rremë.