Ka nisur gara për kreun e FSHF-së. Armand Duka, presidenti aktual, ka shpallur rikandidimin. Ndërkohë, siç ishte thënë, kandidati tjetër është deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino, i cili gjithashtu ka bërë publik kandidimin e tij. Ai ka folur për arsyet i ftuar në programin "Rubrika Sportive"

“Ka kohë që shumë dashamirës të sportit më kanë kërkuar që të jem pjesë e sportit. Besoj se e njoh mirë futbollin. Kjo është koha për t’i dhënë një imazh të ri futbollit tonë dhe për t’i dhënë një tjetër dimension. Kënaqësia ime do të ishte që të kishte edhe kandidatë të tjerë. Unë kam paraqitur një plan, por koha është shumë e reduktuar. Për të bërë një fushatë për president, mbase do të ishte mirë që të bëhej një Asamble, kur të lihej një datë tjetër. Të gjithë kandidatët duhet të kishin një kohë të barabartë, për të bërë një fushatë korrekte për të mirën e futbollit. Fakti që bëhet në këtë mënyrë, i bie që avantazhi i presidentit aktual, bën të mundur që unë të jem në një raport jo të favorshëm”, tha Fino.

Megjithatë, diçka ka dalë ndryshe nga parashikimi. Bashkim Fino, i pyetur nëse do hiqte dorë nga posti i deputetit, ka thënë prerë që kjo nuk do të ndodhë.

Mbajtja e postit të deputetit dhe sekretarit organizativ kompromenton disi garën, megjithatë. Kryetari i FSHF-së zgjidhet edhe nga votat e presidentëve të klubeve, të cilët financohen nga bashkia e qytetit. Ky kandidim ka ngjallur diskutimin që bashkitë me kryetarë të PS-së do të ndikojnë në garën për kreun e FSHF-së duke mbështetur Finon.

Bashkim Finon deri ditën e djeshme e kishin kandiduar për kryetar të FSHF-së, tre klube futbolli, ndërkohë pas shpalljes së kandidimit të Dukës, disa nga futbollistët e Kombëtares, shprehën mbështetjen e tyre për presidentin aktual.