Nisma që Kryeministri Edi Rama njoftoi një ditë më parë për shkurtimin e lëndëve mësimore, në vijim të reformës arsimore dhe të platformës për bashkëqeverisje me qytetarët, në fakt ka shkaktuar paksa konfuzion dhe pikëpyetje në shkolla nga mësues, nxënës dhe prindër.

Si do të jetë orët mësimore 90 minutëshe dhe se si do të zhvillohet i të gjithë procesi mësimor?

Nga cikli fillor e deri në ciklin e mesëm nxënësit zhvillojnë nga 4-6 orë mësim në ditë, pra çdo nxënës mban me vete 4-6 tekste shkollore, përfshirë edhe fletoret përkatëse për secilin libër. Që prej vitesh është përkthyer nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit, jo vetëm si ngarkesë fizike, por edhe si ngarkesë psikologjike për shkak të volumit të detyrave të shtëpisë në 6 lëndë të ndryshme.

Po duke nisur nga 1 shkurti, kjo praktikë do të ndryshojë: “Do kemi 3 lëndë në 6 orë, do të thotë nëse ka bërë 6 orë do të bëjë 3 orë 2 orëshe ose 3 lëndë nga 90 minuta, pra nëse ka bërë 1 orë letërsi do bëjë 2 orë letërsi, 2 orë matematikë dhe 2 orë histori. Do të ketë pushim 5 minutëshe mes orëve, siç ka qenë”, u për Top Channel Anila Ferizaj, specialiste pranë  MASR.

Pra, orët mësimore do të vazhdojnë të jenë 45 minuta të gjata me pushim në mes, por në dy orë të tilla do të zhvillohet vetëm një lëndë.

Në këtë mënyrë, mësuesit që e propozuan këtë nismë, do të kenë mundësi ta shpjegojnë dhe ta zhvillojnë më mirë lëndën. “Duke qenë vetë mësuese, në radhë të parë shpesh nuk më ka dalë ora e mësimit ose nuk kam arritur t’i kontrolloj të gjithë, pra do të thotë nxënësi në 90 minuta ka mundësi të dëgjojë të ndërveprojë”,- thotë Anila Ferizaj.

Nga Ministria e Arsimit thonë se janë konsultuar edhe me psikologë për skemën e re të zhvillimit të mësimit në klasë.

Por vetë psikologët çfarë thonë? “Nxënësit do të lehtësohen nga kjo praktikë e re, edhe nga ana psikologjike do përbëjë lehtësim për ta që do përgatiten në 3 lëndë jo në 6, pra nuk do shpërndahen në 6 fusha por në 3. Prioritet do kenë edhe prindërit pasi shumë ankesa na vijnë ne psikologëve shkollorë që prindërit nuk kanë mundësi të kalojnë kohë me fëmijët për ti argëtuar pasi gjithë pasditen bëjnë detyrat e klasës”, u shpreh për Top Channel Eriselda Dervishi, psikologe shkolle. Madje, ajo thotë se kjo skemë e re do të ndihmojë edhe nxënësit me aftësi ndryshe.

Mësuesi, në momentin që i vë në një aktivitet praktik nxënësit e tjerë, mund t’u kushtojë më shumë vëmendje dhe kohë nxënësve me nevoja të veçanta apo me vështirësi në të përqendruar”,- u shpreh Dervishi.

Zbatimi i kësaj skeme do të nisë më 1 shkurt në të gjitha shkollat 9- vjeçare dhe të mesme, private dhe publike nga klasa e parë deri në klasën e 12-të. Ndërsa psikologët janë porositur të monitorojnë zbatimin e saj me qëllim matjen e kënaqësisë dhe të përfitimit të dijes nga nxënësit.