Gjatë kësaj fundjave, territori shqiptar do të mbizotërohet nga mot i ftohtë, me vranësira dhe shira në të gjithë vendin. Sipas Meteoalb, pjesa e parë e ditës së shtunë do të ketë shira me intensitet mesatar në veri – qendër, ndërsa gjatë pasdites pakësohen shirat në veri – qendër, por shtohen në zonat jugore. Mbrëmja dhe gjatë natës do të ketë reshje të pakta shiu e dëborë në zonat malore. Temperaturat rriten lehtë në mëngjes, por mbeten thuajse konstante gjatë mesditës duke ruajtur maksimumin 15 – 16°C.

Ndërsa dita e diel gjatë pjesës së parë mbetet me vranësira dhe reshje të pakta shiu e dëbore në veri – qendër. Jugu mbetet kryesisht pa reshje deri pas mesditës, kur reshje të pakta lokalizohen në zonat jugore, ndërsa pjesa tjetër e vendit kalon gradualisht në kushtet e motit të kthjellët. Gjatë natës pritet mot kryesisht i kthjellët në të gjithë Shqipërinë. Temperaturat, edhe gjatë ditës së diel do të pësojnë rënie të ndjeshme në mëngjes e mesditë duke luhatur ekstremumet termike të ditës nga -2 në 13°C.

Ndërsa java e ardhshme, nga e hëna e në vijim, parashikohet me mot të kthjellët, por të ftohtë.

Sa u përket reshjeve, Meteoalb njofton se nuk do të ketë rrezik për përmbytje, të paktën si pasojë e sasisë së shirave, pasi do të ketë shira me intensitet mesatar në zonat veriore dhe qendrore dhe ekstremin jugor. Sasia e reshjeve të së shtunës parashikohet të arrijë deri 70 mm/24h në veri; 50 mm/24h në qendër dhe 30 - 40 mm/24h në zonat e ekstremit jugor.

Era mbetet problematike gjatë natës së të premtes dhe paraditen e së shtunës, me shpejtësi mesatarisht 12 m/s, por në momente të shkurtra shpejtësia e saj do arrijë edhe 21 m/s (rreth 75 km/h), ndërsa pjesa e dytë e së shtunës dobëson ndjeshëm erën deri në 40 km/h (rreth 10 m/s).