Pagat dhe pensionet do të njohin sërish rritje gjatë vitit që vjen, pas rritjes që qeveria ndërmori nga 1 marsi i këtij viti. Në projektbuxhetin e vitit 2018, fondi në total për rritjen e pagave dhe pensioneve llogaritet 2.8 miliardë lekë, ndër të cilat 1 miliard për politikat e reja të pagave dhe 1.8 miliard për pensionet.

Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve ka miratuar nen për nen projektbuxhetin e vitit 2018, vetëm me votat e Partisë Socialiste. Por drejtoresha e buxhetit Mimoza Dhëmbi, ka sqaruar se në buxhetin e ri nuk do të ketë rritje pensionesh. Dhëmbi tha se në projektbuxhet është parashikuar vetëm indeksimi i pensioneve, por jo rritja e tyre, shkruan Panorama: “Buxheti për fondin e sigurimeve shoqërore, i paraqitur në nenin 4, përfshin edhe indeksimin e pensioneve sipas kërkesave bazë të ligjit të pensioneve. Pra, ligji kërkon vetëm indeksim. Dhe indeksimi është i parashikuar të jetë pjesë e këtij buxheti”,- tha drejtoresha Dhëmbi.

Ndërsa për deputetin e LSI-së, Nasip Naço, qeveria ka lënë në harresë shtresën e pensionistëve që ka më shumë nevojë për ndihmë financiare. Sipas tij, projektbuxheti dhe paketa fiskale parashikojnë ulje taksash për hotelet me 5 yje dhe për lojërat e fatit. “Nuk e kam votuar nenin 4, sepse nuk parashikon rritje të pensioneve për të gjithë këta qytetarë që janë në një moshë që kanë nevojë për kujdesen e shtetit, por ka vetëm një indeksim. Ju po trumbetoni që ne do të jemi superfuqi ekonomike në rajon, është buxheti më i mirë…” - tha Naço në Komisionin e Ekonomisë. 

Pritet që ditët e ardhshme të zbardhet vendimi për ndryshimet për rritjen e pagave dhe pensioneve.