Asfiksimi i 60 nxënësve në një shkollë të mesme në Shupenzë të Dibrës ka vënë në lëvizje të gjitha forcat politike. Pas reagimit të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar edhe Ministria e Arsimit, e cila ka marrë vendim për të pezulluar mësimin.

Duke shpjeguar situatën, MAS lajmëron se do të fillojë kontrollin e kaldajave në të gjitha shkollat e vendit. Aktualisht, Ministria ka marrë vendim për ndërprerjen e mësimit derisa të bëhet ritestimi i kaldajës.

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit bën me dije për publikun të dhënat e përditësuara mbi situatën e krijuar këtë të premte në shkollën “Rifat Manjani” në Shupenzë të Dibrës, ku në orën e dytë të mësimit ka dalë tym nga kaldaja, e cila funksionon me pelet (lloj druri i përpunuar). Për pasojë, nxënësit kanë patur vështirësi në frymëmarrje duke çuar në ndërprerjen e menjëhershme të mësimit dhe në transportimin e nxënësve drejt qëndrës shëndetësore në Shupenzë dhe në spitalet rajonale të Bulqizës dhe Peshkopisë. Aktualisht, në strukturat spitalore janë shtruar afro 60 nxënës, nga të cilët njëri prej tyre është transportuar në Tiranë së bashku me një mësuese. Të dhënat nuk janë definitive pasi po përditësohen duke qenë se situata mbetet ende në zhvillim.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe ministrja e Shëndetësië, Ogerta Manastirliu, kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm me mjekët dhe autoritetet lokale. Ministrja Nikolla ka kërkuar nga të gjithë drejtuesit rajonalë të arsimit ngritjen e një inspektimi në bashkëpunim me pushtetin vendor për verifikimin e kaldajave, gjatë kësaj fundjave në të gjitha shkollat. Po ashtu, edhe në shkollën “Rifat Manjani” bëhet me dije se mësimi nuk do të fillojë pa bërë ritestimin e kaldajës.