Fatkeqësisht është ndarë nga jeta në moshën 49-vjeçare ish-ministri i Energjitikës, Dritan Prifti.

Prifti vuante nga një sëmundje agresive e gjakut prej një viti dhe për këtë shkak ai kishte hequr dorë dhe nga jeta publike dhe politike.

Ish-ministri i ishte nënshtruar së fundmi një operacioni tepër të vështirë në Itali, nga i cili nuk kishte pasur përmirësime. Nga Italia, Prifti u transferua në një klinikë më të specializuar në Gjermani, por pavarësisht nga trajtimet e marra mësohet se ish-ministri nuk ja ka arritur t'ia dalë.

Ai është kthyer dje pasdite në Shqipëri në gjendje shëndetësore shumë të rëndë. Vetë Prifti deklaroi në muajin maj të këtij viti se ishte në betejë me një sëmundje të rëndë gjë e cila e privoi atë edhe nga fushata elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit.

Prifti ndërroi jetë këtë të enjte në banesën e tij, në prani të familjarëve. Ne i shprehim ngushëllimet tona familjes Prifti për këtë humbje kaq të madhe dhe të parakohshme.