"Faleminderit kapiten" pushtoi stadiumin dhe internetin ndërsa Cana linte zyrtarisht futbollin. Megjithatë një ditë më pas ai është shfaqur në faqen për të thënë falënderimet e tij.

I janë dashur 24 orë për të tretur emocionet e mbrëmjes së djeshme dhe për të ndjekur aktivitetet sportive të sotshme, por tani ka postuar një foto dhe një mesazh për të gjithë tifozët dhe kolegët. Nuk mund të mungonte një përshëndetje nga Loriku, i cili e ka ndier mbështetjen dhe dashurinë e njerëzve që e kanë rrethuar në këto 14 vite karrierë të cilat mund të ishin më shumë, por kapitenit iu desh të largohej për shkak të problemeve me zemrën.

Mbrëmë ai u përshëndet edhe një herë nga një stadium i tërë, siç ka ndodhur gjithmonë me kapitenin që ka dhënë shumë për Kombëtaren dhe shpirtin e saj.

Një falënderim, një urim, një premtim...përgjithmonë, siç shkruhej dhe në bluzën e madhe të hapur në stadium me numrin 5 që ka mbajtur kapiteni, i cili do të jetë gjithmonë pjesë e Kombëtares për kontributin në fushë, por mbi të gjitha për atë përkushtim shpirtëror të rrallë në kauzën shqiptare.