Shqipëria ka mbyllur me humbje ndeshjet eliminatore për kupën e botës “Rusi 2018” duke u mundur me një rezultat minimal 0-1 nga Italia.

Pavarësisht lojës së mirë të bërë nga kuqezinjtë, një gabim i yni në mbrojtje u shfrytëzua mjaft mirë nga Antonio Candreva në minutën e 74 duke i dhuruar italianëve fitoren. Një lojë me shumë emocion, me shumë raste për të shënuar nga të dyja palët, por të pashfrytëzuar mirë si nga “axurrët” ashtu edhe nga kuqezinjtë.

Pavarësisht rezultatit jo pozitiv, kjo ndeshje mund të cilësohet si ndër më të mirat për djemtë e kombëtares, të cilët ndryshe nga përballja me Spanjën, ishin më të sigurt në vetëvete, më këmbëngulës dhe më të saktë në pasime, edhe pse nuk mjaftuan për të na dhuruar një fitore në shtëpi.

Kjo është humbja e dytë për djemtë e Panucci-it pas asaj me Spanjën në Alicante tre ditë më parë me rezultatin 3-0. Pavarësisht këtyre humbjeve, kombëtarja shqiptare arrin të ruajë vendin e tretë në grupin G me rezultatin e 13 pik-ve ë e ndërsa Italia ruan vazon e parë për fazën e ndeshjeve të “play off”.


Në grupin G, Spanja renditet në vendin e parë e cila ka grumbulluar 28 pikë, Italia në vendin e dytë me 23 pikë, Shqipëria renditet e tretë me 13 pikë, Israeli në vendin e katërt me 12 pikë, Maqedonia 11 pikë e ndërsa në vendin e fundit renditet Lihtenshtejni me 0 pikë.