Megjithëse me mëngjese të freskëta, shtatori vijon të jetë një muaj i ngrohtë e në mesditë me temperatura ende të larta. Fundjava që lamë pas, por edhe ditët e para të kësaj jave janë dominuar nga mot i kthjellët e i ngrohtë, por duke filluar që nga e mërkura, situata do të ndryshojë.

Kështu, sipas parashikimit të Meteoalb, gjatë ditës së mërkurë, zona jugore dominohet nga vranësira e intervale kthjellimesh, ndërsa me vranësira më të dendura e shira të dobët paraqiten veriu - qendra. Pasditja vijon me vranësira e shira të herëpashershëm në veri si dhe fuqizohen vranësirat në jug dhe qendër, ku priten dhe rrebeshe afatshkurtra. Gjatës natës dhe deri mëngjesin pasardhës, në pjesën më të madhe të vendit do të ketë vranësira dhe shira të herëpashershëm.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në mëngjes, por një rënie me 3 – 4°C sjellin orët e mesditës.

Megjithatë, surprizat nuk mbarojnë me kaq. Përveç prezencës së shirave në dy ditët vijuese, do të ketë edhe rënie të ndjeshme të temperaturave mesditën e së mërkurës dhe mëngjesin e mesditën e së enjtes. Edhe dita e premte nuk sjell ndryshime të ndjeshme të temperaturave, ndërsa fundjava sjell sërish RRITJE.