Me krijimin e qeverisë Rama 2, një nga vendimet që bëri më shumë përshtypje, ishte lënia jashtë saj e një prej personave të afërt me Kryeministrin i cili është një nga personat më të rëndësishëm në PS. 

Sot, u kuptua, që ai nuk mund të mbetej jashtë qeverisjes. Edhe pse pa një dikaster për të drejtuar, Saimir Tahiri do të ketë një detyrë të rëndësishme, duke qenë që bashkëqeverisja me qytetarët është një nga pikat që Rama ka theksuar në këtë mandat të dytë.

Tahirit i është dhënë sot detyra e koordinatorit të bashkëqeverisjes me qytetarët. Kryeministri Rama ka kërkuar ngritjen e një strukture me këtë funksion të përbërë nga qytetarët, të cilët aplikuan online.

“Do të nisim menjëherë punën në terren duke emëruar një Koordinator Kombëtar për Bashkëqeverisjen, që do të jetë Saimir Tahiri, të cilit këtë detyrë sapo ia ngarkuam në Kryesinë e Partisë Socialiste”, – tha Kryeministri Rama, i cili organizoi sot një takim me kryesinë e partisë.

Rama u shpreh se kjo platformë do të jetë një mekanizëm i gjallë njerëzish për të realizuar dhe për të bërë të mundur implementimin e tri pikave kyçe të dëgjesave publike.

“Njerëzit duan pastrim të mekanizmit të shtetit nga të gjithë parazitët; shërbim për çdo nevojë dhe mbi çdo të drejtë, duan ndëshkim për të gjithë ata që bëhen pengesë për këto të drejta. Pra, duan pastrim, shërbim dhe ndëshkim”, tha Rama.

Pas rezultatit të zgjedhjeve, Rama ftoi të rinjtë të aplikonin për këtë strukturë të bashkëqeverisjes, e cila do të funksionojë për herë të parë dhe do të jetë një pikë e kontaktit me qytetarët dhe kontrolli për ministrat e qeverisë.