Janë betuar sot në Presidencë, Kryeministri dhe ministrat e qeverisë Rama 2. I pari është betuar Kryeministri dhe më pas të gjithë ministrat e qeverisë së tij.

Mediat kanë vënë në dukje edhe një shmangie, me siguri të pavullnetshme, të Ramës nga rregullorja, duke qenë që ai ka kaluar menjëherë te firmosja pa vendosur dorën mbi Kushtetutë dhe pa u betuar.

Megjithatë procedura ka vijuar normalisht. Presidenti Meta ka shtrënguar duart me Kryeministrin Rama dhe ka mbajtur një fjalë me këtë rast. Mesazhi i tij ka qenë përforcimi i bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës, hapat para drejt integrimit në BE dhe fillimi i punës për reformën në drejtësi.

Qeveria e re ka 13 ministra dhe zv.kryeministren, pjesa më e madhe e tyre për herë të parë në qeveri ose në këto pozicione.