Skenat e dhunshme gati çnjerëzore brenda burgjeve janë një realitet dhe frika e tyre tremb familjarët e Ismail Morinës, që duhet të ekstradohet në Serbi, pas vendimit të gjykatës kroate.

Pak ditë më parë, bashkëshortja e italiane e tifozit që ngriti dronin në stadiumin e Beogradit, me flamurin e Shqipërisë së madhe, ka kërkuar ndihmë duke përmendur kërcënimet me jetë që i janë bërë Ballistit në Serbi. Ajo ka përmendur mesazhin e një prej të burgosurve të njohur serb, i dënuar me 40 vjet heqje lirie, që kryen dënimin në burgun ku është vendosur të ekstradohet Morina, i cili ka thënë që do t'i përgatisin "një komitet mirëseardhjeje" Ballistit.

Sot, për Ora News, Federica Lo Toro, ka treguar gjendjen e bashkëshortit, i cili është i vendosur për të mos u ekstraduar në Serbi. Gjendja e Morinës është vërtet shqetësuese. Sipas deklaratave të saj, ai mund edhe të vrasë veten nëse nuk do të ketë zgjidhje tjetër.  Në një prononcim ekskluziv për Ora News bashkëshortja e tij Federica Lo Toro thekson se pas tre muajve qëndrimi në qeli, gjendja e Morinës është e rënduar.

"Ma konfirmoi edhe para një dite dhe me një qetësi vërtet tronditëse, që nëse gjërat nuk shkojnë mirë, ai mbetet i vendosur për ti dhënë fund. Më ka thënë që në Serbi nuk ka për të shkuar sido që të jetë përfundimi, më mirë largohem nga kjo botë më tha se sa të shkoj atje. Po mundohemi ta motivojmë, por është shumë e vështirë për të", ka thënë ajo.

Gjendja e tij fiziko-psikike pas 3 muajve në qelinë e burgut të Dubrovnikut është mjaft e rënduar. Bashkëshortja, ka treguar që Ismaili ka rënë shumë nga pesha, madje ka treguar dhe probleme të theksuara me shikimin, kjo ndoshta për shkak të kohës së gjatë që qëndron në errësirë në dhomën e burgut. Bashkëshortja e Morinës, Federica, nënë e dy fëmijëve me Ismail Morinën dhe në pritje të të tretit, me profesion avokate e ka ndjekur hap pas hapi çështjen dhe u  shpreh se pas vendimit për ekstradim të gjykatës së parë dhe asaj të lartë të Kroacisë, shpresat janë të mbështetura vetëm tek azili politik, një vendim që i takon Ministrisë së Brendshme.

"Ne do e dërgojmë çështjen në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që më pas të kemi të drejtë ta dërgojmë në Strasburg, por realisht nuk kemi shpresë tek Gjykata Kushtetuese. Shpresat tona janë të mbështetura tek ministri i brendshëm, i cili ka kompetencën për t'i akorduar Ismailit azilin politik. Është kryer një intervistë paraprake me Ismailin. Tani presim që autoritetet të zhvillojnë intervistën kryesore dhe shpresojmë që në janar t'i jepet e drejta e azilit politik. Ndërsa përsa i përket pengesës që mund t'i bëj ekstradimit të Ismailit ministri i Drejtësisë, nuk kemi besim, pasi Kroacia po kërkon të mbajë një qëndrim krejtësisht neutral", ka thënë ajo.

Federica Lo Toro, bashkeshortja e Ismail Morines

Ismail Morina është arrestuar në Kroaci ku po kalonte kufirin pa dokumenta për të shkuar më pas në Itali te familja.

Serbia ka lëshuar udhër arresti ndaj Ismail Morinës për nxitje të urrejtjes etnike dhe racore, i cili mund ta dënojë atë, pas ekstradimit me tetë vjet heqje lirie në një burg të sigurisë së lartë. Megjithatë Federica ka thënë që nuk kanë qenë në dijeni të urdhërit të arrestit, madje kanë kontrolluar nëpërmjet Interpolit deri një vit pas ngjarjes, teksa urdhri është lëshuar nga Prokuroria serbe në tetor të 2016-ës, pra dy vite pas ndeshjes Serbi-Shqipëri.

Në lidhje me mbështetjen e autoriteteve shqiptare ajo u shpreh se ka pasur lëvizje konkrete, por është një çështje shumë delikate ndaj shton se e kupton vështirësinë e Shqipërisë në këtë rast.

Disa nga futbollistët e Kombëtares kanë postuar foto të Ismailit në shenjë solidariteti në periudhën kur u zhvilluan seancat e tij gjyqësore, por asgjë nuk mund të ndryshojë prej kësaj. Ndërsa kërkesat e ministrit të Brendshëm shqiptar nuk janë marrë parasysh nga gjykata kroate e cila vendosi ekstradimin e tij. Familja po bën çdo përpjekje që ky ekstradim që do vinte në rrezik Morinën, të mos realizohet.