Reshjet e borës janë rikthyer në disa zona të vendit dhe do të vazhdojnë edhe në fundjavë. Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar jo pak probleme në bujqësi për bimët dhe pemët që janë në fazën e lulëzimit. Në fshatrat e Kukësit, Bulqizës, Peshkopisë dhe në zonat e Malësisë së Madhe, dëbora ka arritur në disa centimetra lartësi.

Sinoptikanët lajmërojnë se temperaturat e ulëta janë rikthyer edhe në juglindje të vendit. Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, reshjet e borës kanë nisur në zonat malore të qarkut. Në fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës bora ka arritur në disa centimetra trashësi, por edhe në Elbasan, ka pasur borë deri në lartësinë mbi 1 mijë metra.

Kjo situatë do të vijojë edhe për ditët e fundjavës gjatë të cilave temperaturat do të jenë në nivelet e tyre minimale. Përmirësime dhe ngritje të temperaturave do të ketë pas ditës së shtunë.