Terrorizmi ka goditur sërish Parisin. Një polic mësohet të jetë vrarë nga një person i armatosur, i cili u qëllua për vdekje. Sulmuesi besohet se i ka qëlluar qëllimisht oficerët dhe ishte i njohur nga shërbimet e sigurisë.

Pak pas lajmit se ka vdekur dhe polici i dytë, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme theksoi se lajmi nuk është i vërtetë. Dy oficerë sipas tij mbeten në gjendje kritike në spital, pasi u plagosën nga të shtënat. Zëdhënësi shtoi se ata besonin që ishte vetëm një person i armatosur i cili kreu sulmin, dhe ai u vra nga policia, por tha se nuk mund të përjashtohet pista që autori mund të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë te cilet mund te jene arratisur. Zëdhënësi gjithashtu theksoi se ata ende nuk e dinin motivin e sulmit.

Personi i armatosur që hapi zjarr ndaj policëve në Paris, përdori një “armë lufte” për të kryer sulmin e tij, tha një zëdhënës i qeverisë franceze. Policia ka lëshuar një urdhër arresti për një të dyshuar të dytë, dhe thuhet se ai kishte ardhur në Francë me tren nga Belgjika. Sipas Skynews, ngjarja ndodhi jashtë një dyqani në Champs­ Elysees, një nga rrugët kryesore tregtare të kryeqytetit francez dhe një zonë e mbushur me turistë.

Sulmuesi kishte në shënjestër policinë që ruante zonën pranë stacionit të metrosë Franklin Roosevelt të enjten mbrëma. Një numër i madh oficerësh policie janë në vendin e ngjarjes, raportojnë mediat franceze. Një helikopter është parë duke fluturuar në një lartësi të ulët mbi Paris, teksa departamenti i policisë lokale i kërkoi njerëzve që të “shmangnin zonen e Champs Elysees” dhe të ndiqnin udhëzimet e policisë.

Policia flet për një “akt terrorist”. Deri tani thuhet se ishin të paktën dy sulmues, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar. Një dëshmitar i identifikuar thjesht si Ines, i tha stacionit televiziv francez BFM se dëgjoi të shtëna, pa trupin e një njeriu të shtrirë në tokë dhe zonën që u evakuua shpejt nga policia.