Pas deklaratave të drejtpërdrejta për të ndërprerë bojkotin, ministri i Jashtëm gjerman, ka takuar kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Pas këtij takimi, Basha ka folur për gazetarët duke thënë që ai kishte informuar ministrin gjerman Gabriel për gjendjen reale në Shqipëri, gjatë këtij takimi. Ai ka thënë që e ka informuar të dërguarin e Merkel që 6 ligje të Reformës në Drejtësi janë ndryshuar pa konsensusin e opozitës dhe kjo pengon opozitën t’i votojë.

Gjithashtu Basha ka shtuar që gjatë takimit me Gabriel e ka informuar atë për situatën e drogës dhe krimit në vend. “I paraqita Gabrielit fakte. Bojkoti i opozitës është për fatin e Shqipërisë evropiane dhe bëhet edhe në emër të sigurisë rajonale”, ka thënë Basha për gazetarët duke mos dhënë asnjë koment për deklaratat e mëparshme të ministrit gjerman që u bënte thirrje forcave opozitare të ktheheshin në Parlament dhe të nisnin dialogun për mënyrat sesi mund të arrihen zgjedhjet e lira, sipas tyre.

Basha tha vetëm që ai çmontoi “gënjeshtrën e Ramës” për vettingun, sepse opozita e ka votuar vettingun, por nuk mund të votojë 6 ligjet që shkelin marrëveshjen mes palëve dhe nuk garantojnë drejtësi, por e bëjnë drejtësinë të varur nga qeveria. Ai tha që këto ligje do të votohen kur të garantojnë drejtësi të pavarur, që nuk mbron gjyqtarët e korruptuar, por i dënon ata.