Sot, ministri i Jashtëm i Gjermanisë Sigmar Gabriel ka vizituar Shqipërinë si i dërguar i  Merkel. Në fokus të bisedimeve dhe deklaratave të tij ka qenë gjendja aktuale politike në Shqipëri, braktisja e Parlamentit dhe mosregjistrimi në zgjedhje i opozitës.

Ai dhe ministri Bushati kanë dalë para mediave pas takimit në Ministrinë e Jashtme ku Gabriel ka thënë që kjo situatë bllokimi zgjat rrugën e Shqipërisë drejt BE-së dhe u vështirëson jetën shqiptarëve. Ai iu përgjigj qartë pyetjes çfarë do të ndodhte me Shqipërinë nëse vazhdon bllokimi.

“Nëse Parlamenti vazhdon të bllokohet, rruga e Shqipërisë drejt BE-së do të jetë më e gjatë dhe jeta e shqiptarëve më e vështirë. Interesi kombëtar i opozitës nuk mund të jetë kaosi i vendit. Unë mendoj që do të duhet t’u bëjmë apel ndjenjës së përgjegjësisë të atyre që e kanë çuar Shqipërinë në një udhëkryq duke shpikur edhe teori komplotesh. Në rast pakënaqësish për zgjedhje të lira dhe të ndershme, zoti Basha duhej të bënte propozimet sesi të mbërrihej në zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Nëse dëshiron opozita, mund të bëjmë më shumë drejt kësaj, por nuk është rruga bllokimi dhe bojkotimi i Parlamentit”.

Basha është shprehur gjatë gjithë këtyre mbi 60 ditë proteste në Çadrën e Lirisë, që nuk mund të ketë zgjedhje të lira të përgatitura nga këto institucione sipas tij të inkriminuar dhe për këtë arsye, e vetmja mënyrë për të mbërritur drejt tyre sipas tij, është krijimi i një qeverie teknike.